Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në Florida të SHBA-së, ku një fëmijë 2-vjeçar ka humbur jetën pasi u qëllua aksidentalisht nga kushëriri i tij 4-vjeçar. Sipas autoriteteve, ngjarja ka ndodhur në Kissimmee, ku policia u thirr pas raportimit për një të mitur të plagosur nga arma e zjarrit. Fëmija u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se arma ishte lënë e pasiguruar brenda një automjeti, ku ndodheshin dy fëmijët. 4-vjeçari dyshohet se e ka marrë armën dhe e ka shkrepur aksidentalisht, duke goditur kushëririn e tij.
Sherifi i Qarkut Osceola, Chris Blackmon, ka paralajmëruar për rrezikun e lënies së armëve pa masa sigurie, duke theksuar se një moment pakujdesie mund të ketë pasoja të pakthyeshme. Familja, e cila kishte udhëtuar nga Georgia drejt Floridës për pushime, po qëndronte në një banesë me qira kur ndodhi tragjedia.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore, ndërsa pritet të shqyrtohen edhe masat që mund të merren ndaj personave përgjegjës për ruajtjen e armës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
