NYT: Brenda operacionit sekret të Izraelit për rekrutimin e

0%

Përpjekja shumëvjeçare për ta paraqitur ish-presidentin iranian si aset të inteligjencës kulmoi në një përpjekje dramatike për ta çuar në një shtëpi të sigurt të Mossadit në Iran në ditët e para të luftës.

Por plani dështoi, ka shkruar gazeta prestigjioze amerikane, “The New York Times”, në një shkrim ekskluziv Me fillim të vitit 2024, rektorit të një universiteti në Budapest i shkoi një kërkesë e habitshme nga një zyrtar i lartë i qeverisë hungareze.

Zyrtari i do t’i thoshte rektorit, profesor Gergely Deli, se Universiteti i Shërbimit Publik Ludovika duhet ta organizojë një konferencë për ndryshimet klimatike dhe ta ftojë një mysafir të papritur: Mahmoud Ahmadinejadin, ish-presidentin e Iranit, i përbuzur gjithandej. Edhe më tronditëse ishte arsyeja.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Zyrtari do t’i thoshte Delit se konferenca do ishte thjesht fasadë për Ahmadinejadin që të zhvillojë diskutime të fshehta në Budapest me operativë të inteligjencës nga Izraeli, armiku i përbetuar i Ahmadinejadit. Rektori Deli e dinte fort mirë se ftesa mund t’ia dëmtonte reputacionin si atij, njashtu edhe universitetit.

Por, ka treguar ai në një intervistë për gazetën njujorkeze, besonte se mund të luante rol për shpëtimin e jetës së njerëzve. “Keni dy armiq, dhe nëse këta armiq duan të flasin me njëri-tjetrin, atëherë është më mirë të bëni çmos që ata të flasin”, ka thënë ai.

Vizita e Ahmadinejadit në universitet më 2024 dhe e pastajmja vitin pasues ishin pjesë e përpjekjes shumëvjeçare izraelite që ta përgatiste si aset të inteligjencës që, kur të vinte koha, të mund të instalohej si lideri i ri i Iranit, kanë treguar zyrtarët amerikanë dhe iranianë të informuar me operacionin, por të cilët kanë folur në kushte anonimiteti për përshkrimin e të dhënave të ndjeshme të inteligjencës.

Rekrutimi i Ahmadinejadit ishte prioritet aq i madh për Izraelin, saqë shefi i atëhershëm i spiunazhit të vendit, David Barnea, do të udhëtonte madje drejt kryeqytetit hungarez më 2024 që personalisht të takohej me Ahmadinejadin, sipas ish-zyrtarëve amerikanë.

Menjëherë pas kësaj, kanë treguar ata, Mossadi, shërbimi i inteligjencës së jashtme të Izraelit, do ta njoftonte CIA-n se kishte vënë në kontakt me Ahmadinejadin.

Vendimi i Izraelit për hartimin e planit për ndryshim regjimi të lidhur me Ahmadinejadin përbën kthesë të jashtëzakonshme në sagën e marrëdhënieve të vendit me ish-presidentin, i cili ishte i njohur për përshpejtimin e programit bërthamor të Iranit, thirrjet e rregullta për shkatërrimin e Izraelit dhe mohimin e Holokaustit.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Izraeli viteve të fundit i dha Ahmadinejadit fshehurazi para për qëndrim e udhëtime, dhe operativët izraelitë e takuan jashtë vendit në disa raste, përfshirë edhe gjatë udhëtimeve në Budapest.

Përpjekja kulmoi në fundshkurtin e sivjetmë – gjatë ditëve të para të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit – me një operacion të guximshëm për zhvendosjen e ish-udhëheqësit, i cili jetonte nën mbikëqyrje të rreptë në Teheran. Qëllimi: të aktivizohej plani për rrëzimin e regjimit aktual dhe të instalohej Ahmadinejadi. Ama, plani dështoi.

Më 28 shkurt, një sulm ajror izraelit goditi kompleksin e Ahmadinejadit, duke pasur cak ndërtesën e truprojave dhe automjetin e tij të blinduar. Pas sulmit, sipas katër zyrtarëve të lartë iranianë, një makinë e zezë, “Peugeot”, mbërriti, mori Ahmadinejadin dhe e largoi shpejt e shpejt nga hallakama pas sulmit.

Zyrtarët amerikanë dhe iranianë, me njohuri për operacionin, kanë thënë se makina ishte drejtuar nga operativë të Mossadit, të cilët e çuan Ahmadinejadin në një shtëpi të sigurt sekrete në Iran.

Por ish-lideri iranian ishte i mërzitur për operacionin e papritur të shpëtimit dhe dukej i zhgënjyer për dështimin e planit izraelit për ta rikthyer në pushtet, kanë treguar njerëz me njohuri me rrethanat e pastajme. Ai përfundimisht u largua nga shtëpia e sigurt në rrethana që ende mbesin të paqarta.

Ahmadinejadi nuk u pa më në publik deri të hënën e kaluar, kur u paraqit shkurtimisht në funeralin e varrimit të liderit të vrarë suprem, Ajatollah Ali Khamenei. I pasigurt mbetet statusi i tij aktual.

Por katër zyrtarë të lartë iranianë kanë thënë se Ahmadinejad ndodhet në paraburgim nën kontroll krahut të inteligjencës së Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, në arrest shtëpiak tani që Irani ka mësuar shumë nga ndërveprimet e tij me Izraelin.

Zyrtarët izraelitë nuk kanë komentuar publikisht lidhur me planin për instalimin e Ahmadinejadit, si lider të Iranit, që ishte pjesë e përpjekjes më të madhe për rrëzimin e qeverisë në Teheran.

Një element tjetër përfshinte armatosjen dhe trajnimin e forcave opozitare kurde iraniane me bazë në Irakun verior për të kaluar në Iranin perëndimor, për ta marrë kontrollin e territorit të atjeshëm dhe përfundimisht për t’u zhvendosur drejt kryeqytetit Teheran, përpjekje që nuk u manifestua kurrë.

Plani i ndryshimit të regjimit përfshinte një “sekuencë operacionesh speciale, tepër shumë unike, që supozohej të zhvilloheshin”, ka thënë Tamir Hayman, ish-shefi i inteligjencës së Forcave Izraelite të Mbrojtjes, në emisionin e PBS-së, “Firing Line”, në maj pasi “The New York Times” kishte zbuluar për herë të parë hollësitë e rolit të Ahmadinejadit në plan.

“Dhe Ahmadinejadi ishte pjesë e asaj sekuence”. Zyrtarët e Mossadit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Ali Akbar Javanfekr, zëdhënës i Ahmadinejadit, nuk pranoi të komentonte. Ndryshimi postpresidencial Si president i Iranit nga viti 2005 deri më 2013, Ahmadinejadi ishte politikani më i shquar i vijës së ashpër në vend.

Ai fliste për shfarosjen e Izraelit dhe, nën sundimin e tij, Irani rifilloi programin për pasurimin e uraniumit, duke ngritur dyshime se po ndiqte një program sekret të armëve bërthamore.

Ahmadinejadi urdhëroi shtypjen e dhunshme të kryengritjes mbarëkombëtare që kundërshtonte rizgjedhjen e tij më 2009 dhe, nën sundimin e tij, gjyqësori kreu ekzekutime masive të disidentëve dhe burgosi ​​kundërshtarë e rivalë politikë. Por në vitet pas largimit nga presidenca, Ahmadinejadi i zbuti fjalët dhe retorikën anti-Izrael që e kish karakterizuar sa ishte në detyrë.

Ai shpesh mezi priste të tregonte anën e moderuar në formësim, duke dhënë intervista e duke mbajtur fjalime ku do të shprehte mendime mbi kulturën e muzikës pop të Iranit, do të kritikonte forcat e sigurisë së vendit për shtypjen e ashpër dhe do të akuzonte klasën sunduese për korrupsion financiar.

Ai do të hiqte dorë prej xhaketës së madhe karakteristike dhe do të të vishte kostume të qepura. Do ta ujdiste mjekrën e kërleshtë, dukej sikur po bënte trajtim botoksi dhe nisi ta fliste anglishten.

Në zyrën e tij në Teheran, do të mbante takime publike njëorëshe çdo mëngjes duke dëgjuar ankesat e qytetarëve të rëndomtë, disa prej të cilëve i shkonin me kërkesën për ndihmë për të kryer punë në burokracinë qeveritare. Herë pas here, do t’u shkruante letra ministrive qeveritare duke u rekomanduar mbështetje financiare apeluesve.

Ai do të udhëtonte rregullisht në krejt vendin, duke takuar mbështetës, si në qytete, njashtu edhe në provinca rurale. Marrëdhënia e Ahmadinejadit me qeverinë iraniane ishte e ndërlikuar. Liderët e lartë e margjinalizuan dhe ia kufizuan lëvizjet, megjithatë ia lejuan pjesëmarrjen bashkë me zyrtarë të tjerë të lartë në një këshill të nivelit të lartë që këshillon liderin suprem.

Ai do të merrte pjesë në takimin e këshillit në shkurt, disa ditë para se të kallej lufta. Shumëkush në Iran shihnin motive cinike politike në transformimin e Ahmadinejadit, duke e konsideruar si përpjekje për t’i lustruar kredencialet e tij populiste dhe për t’u distancuar nga zyrtarët në pushtet.

Ai do ta ruante një bazë mbështetjeje në mesin iranianëve të klasës punëtore, dhe këshilltarët e tij ishin të sigurt se qëllimi ishte që një ditë të kthehej në pushtet. “Ahmadinejadi nuk do ta bënte këtë për para. Ai ka para; ai ka një rrjet të gjerë ekonomik. Ai do ta bënte për pushtet.

Ai dëshiron të jetë në krye të pushtetit”, ka thënë Abdolreza Davari, ish-bashkëpunëtor i ngushtë dhe këshilltar i lartë i Ahmadinejadit, në një intervistë telefonike. Të dy burrat patën mospajtime të ashpra vite më parë.

Ahmadinejadi do t’u tregonte disa prej bashkëpunëtorëve dhe njerëzve më të ngushtë për ambiciet për t’u bërë lideri i ardhshëm i Iranit me ndihmën e fuqive të huaja, ka treguar një bashkëpunëtor në rrethin e tij të ngushtë, i cili foli në kushte anonimiteti për diskutimet private.

Ahmadinejadi do të zhgënjehej me sistemin e republikës islamike pasi do të diskualifikohej nga kandidatura për president tre herë, ka thënë bashkëpunëtori, dhe arriti në përfundimin se nuk mund të ngjitej në majën e pushtetit për sa kohë që sistemi aktual mbetej në fuqi.

Ai ishte i shqetësuar se, në rast të një lufte dhe ndryshimi të regjimit, amerikanët dhe izraelitët do të zgjidhnin ndonjë figurë të opozitës jashtë Iranit, por që nuk e njihte vendin dhe Irani do të destabilizohej, ka thënë bashkëpunëtori.

Ai e përshkruante veten para rrethit të tij si dikush që mund të luante rolin e një reformatori, si ish-presidenti rus, Boris Yeltsin, dhe thoshte se nëse do të vinte në pushtet, Irani do ta njihte Izraelin dhe do t’i normalizonte marrëdhëniet si pjesë e Marrëveshjeve Abraham të presidentit amerikan, Donald Trump, ka treguar bashkëpunëtori.

Agjencitë izraelite të inteligjencës po ndiqnin nga afër përçarjen që po zinte ndërmjet Ahmadinejadit dhe regjimit iranian gjatë kësaj periudhe, kanë treguar dy zyrtarë izraelitë të mbrojtjes, të informuar me vlerësimet e atëhershme të inteligjencës.

Me interes të veçantë, kanë spikatur zyrtarët, ishte pakënaqësia në rritje e Ahmadinejadit ndaj Ajatollah Khameneit dhe figurave të tjera të larta që e kishin diskualifikuar nga mundësia e shpalljes së kandidaturës për president.

Veprimet e Ahmadinejadit nisën të ngjallnin dyshime brenda degës së inteligjencës së Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit, e cila është përgjegjëse për mbrojtjen e republikës Islamike nga ndërhyrjet e huaja.

Ky dyshim u rrit, sipas dy anëtarëve të Gardës dhe një zyrtari të inteligjencës të informuar me rastin, pasi Ahmadinejadi nisi t’i dërgonte letra publike më 2017 Trumpit dhe pastaj Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. Trump i kish lavdëruar të dy burrat.

Pas sulmit të sivjetmë izraelit që fillimisht e zhbllokoi Ahmadinejadin nga mbikëqyrja e Gardës, agjencitë e inteligjencës së Iranit filluan të hetonin dhe ta zbulonin lidhjen e tij me Izraelin, kanë thënë katër zyrtarët. Takimet jashtë vendit Nuk është e qartë se kur agjentët izraelitë u përpoqën për herë të parë të rekrutonin Ahmadinejadin.

Zyrtarët iranianë kanë thënë se pati të paktën njëfarë kontakti gjatë një udhëtimi më 2023 kur Ahmadinejadi e bëri në Guatemalë që të merrte pjesë në një konferencë të fokusuar në mjedis. Ftesa i shkoi nga qeveria e Guatemalës, vend që ka lidhje diplomatike më të ngushta me Izraelin, sesa shumica e vendeve në Amerikën Latine.

Ahmadinejadi mezi e realizoi udhëtimin, pasi do të ndalej në aeroportin e Teheranit nga forcat e sigurisë, të cilat refuzuan t’ia jepnin kartën e ngjitjes në bordin e aeroplanit dhe ta lejonin të largohej nga vendi.

Ai do të organizonte një protestë njëorëshe në aeroport, e cila u kthye në spektakël publik ndërsa shkrepte fotografi me udhëtarët e zakonshëm iranianë, stafin e aeroportit dhe të linjës ajrore dhe postonte përditësime në faqet e tij të mediave sociale. Përfundimisht, autoritetet iraniane do ta lejonin Ahmadinejadin të hipte në aeroplan dhe të merrte pjesë në konferencë.

“Disa njerëz më thanë të mos udhëtoja në Guatemalë; u thashë atyre se vëllai im, ministri i Mjedisit, më ftoi”,do të deklaronte Ahmadinejadi në një nga videot e udhëtimit. “Ky është një vend shumë i rëndësishëm në Amerikën Latine”.

Vitin pasardhës, ai do ta bënte udhëtimin e tij të parë në Hungari që të merrte pjesë në konferencën e Universitetit Ludovika, duke u takuar në Budapest me Barnean, i cili drejtoi Mossadin për pesë vjet, deri muajin e kaluar kur e mbaroi mandatin.

Hungaria, e cila atëherë drejtohej nga kryeministri i krahut të djathtë, Viktor Orban, kishte ndoshta lidhje më të ngushta me Izraelin, sesa çdo vend tjetër europian, dhe Orbani dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vizituan vendet e njëri-tjetrit. Netanyahu mbajti fjalim në prill 2025 në Universitetin Ludovika, ku i ndau një çmim për shërbim publik.

Dy muaj më vonë, Ahmadinejadi u kthye në Budapest, vetëm disa ditë para se Izraeli të niste luftën në Iran, një vizitë që shihej si mbulesë për të që të takohej me operativët e inteligjencës izraelite.

Truprojat e tij iranianë nga njësia e Gardës Revolucionare, “Ansar”, që shoqëruan Ahmadinejadin në krejt udhëtimet jashtë vendit, do të raportonin se të paktën dy herë ia kishte dalë t’i përvidhej grupit të sigurisë dhe të zhdukej për takime të gjata gjatë udhëtimit të qershorit 2025.

Në një raport rreth udhëtimit, truprojat shkruanin se e kishin sfiduar Ahmadinejadin lidhur me zhdukjet e tij dhe se ai u kishte thënë se ishte takuar me profesorë universiteti, kanë thënë dy anëtarë të Gardës Iraniane dhe një zyrtar inteligjence.

Në konferencën universitare, ish-presidenti iranian do të mbante një leksion në anglisht, duke i habitur pjesëmarrësit me heqjen dorë prej ajetit karakteristik kuranor që dikur e thoshte në fillim të çdo fjalimi.

Veshur me kostum të errët, do të fliste për “humanizmin e përbashkët” dhe për një “rend botëror në ndryshim”, duke ofruar pikëpamjet e tij sesi mund të lindë një botë e re, mësohet nga videot nga udhëtimi, të postuara në faqen e tij në mediat sociale. Ai do t’ia dhuronte Delit, rektorit të universitetit, një kopje të “Librit të Mbretërve”, nga poeti i lashtë iranian Ferduzi.

Deli do t’ia dhuronte Ahmadinejadit emblemën e universitetit. Në një intervistë muajin e kaluar, Deli ka thënë se, duke e ftuar Ahmadinejadin, kishte luajtur rolin e “strohmannit” – gjermanisht për “frontmenit”, ose “kukullës”. Ahmadinejadi deri javën e kaluar nuk ishte parë në publik qysh fundishkurti, kur u largua me nxitim nga shtëpia e tij në Teheran me “Peugeotin” e zi.

Të hënën e kaluar u paraqit shkurtimisht dhe papritmas në funeralin e Ajatollah Khameneit. Videot e procesionit shfaqnin Ahmadinejadin, të veshur me xhaketë të trashë në vapën përcëlluese, me maskë kirurgjikale të ulur deri në mjekër. Dy ish-presidentët e tjerë të gjallë të Iranit, Hassan Rouhani e Mohammad Khatami, nuk u ftuan dhe nuk u shfaqën në asnjë nga ceremonitë e varrimit.

Ahmadinejadi po rrinte kokulur, pa folur, i rrethuar nga të gjitha anët nga ata që dukeshin të ishin truproja. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Burimi: Kallxo