Rinia Demokratike e Kosovës (RDK) përmes një aksioni sot, më , e ka rrethuar objektin e Qeverisë së Kosovës me shiritin e rrezikshmërisë. Sipas njoftimit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ky aksion i të rinjve ishte në mënyrë simbolike për të ngritur shqetësimin për siç kanë thënë, shkeljen e Kushtetutës nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Altin Gjata, sekretari organizativ i RDK-së, ka deklaruar se shiriti i vendosur nga ta është alarm për një mënyrë qeverisjeje që po largohet prej rendit kushtetues, normave ligjore dhe përgjegjësisë institucionale. “Shiritin e rrezikshmërisë po e vendosim aty ku e ka vendin, në një zonë ku çdo ditë po kryhet një krim ndaj Republikës së Kosovës.
Dhe nuk bëhet fjalë për çfarëdo krimi, por për një nga shkeljet më të rënda që mund t’i bëhet shtetit tonë: shkeljen e Kushtetutës dhe rrezikimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Mesazhi ynë është i qartë: asnjë individ, asnjë grup dhe asnjë parti politike nuk është dhe nuk do të jetë kurrë mbi Republikën e Kosovës.
Sepse një pushtet pengmarrës që del jashtë kufijve kushtetues është rrezik për secilin qytetar dhe për vetë shtetin.” – ka thënë Gjata në një konferencë për media. Për betimin e Albin Kurtit dhe disa prej anëtarëve të kabinetit qeveritar si deputetë, më , Gjata vlerëson ata në mënyrë të jashtëligjshme po vazhdojnë ushtrimin e funksioneve ekzekutive.
“Ndërsa Kuvendi mbetet ende i pakonstituuar, si pasojë e bllokadës së shkaktuar nga vet Albin Kurti dhe LVV. Kur institucionet i nënshtrohen vullnetit të një grupi partiak me mendësi uzurpuese, në shpërputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, demokracia vihet në rrezik dhe shteti rrëshqet drejt anarkisë.” – ka shtuar ai.
Në anën tjetër, PDK po zhvillon aksionet e saj çdo ditë duke e bllokuar hyrjen e objektit të Qeverisë dhe duke kërkuar që të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit. Deputetët e PDK-së dhe të Aleancës u paraqiten më në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku ishin prezentë edhe përfaqësues të Ambasadës amerikane dhe Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë.
Deputetët sërish kërkuan nga kryesuesi Avni Dehari të vazhdojë seancën konstituive. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, nga foltorja e Kuvendit, tha se Kosova është marrë peng nga Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, të cilët, sipas saj, po luajnë me fatin e vendit dhe durimin e qytetarëve.
PDK ka paralajmëruar se përsëri do t’i drejtohet Avni Deharit, me kërkesën për vazhdimin e seancës konstituive brenda 48 orëve. Lidhur me këtë, më , PDK ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Deharit për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në aktgjykimin e , gjykata kishte përcaktuar se procedura e konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e organeve të tij drejtuese. Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së seancës.
Pavarësisht kësaj, seanca konstituive ende nuk ka përfunduar dhe përplasjet politike vazhdojnë të pengojnë formimin e institucioneve të reja. Më , Albin Kurti i LVV-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së kanë mbajtur takim për të gjetur një emër konsensual për president të vendit. Pas takimit kanë deklaruar se në takimin e radhës do të flasin në tavolinë me emra konkretë.
Ndërkaq, më , ishte takimi i tyre i dytë për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri. Ndonëse takimi përfundoi pa një marrëveshje, të dy deklaruan para mediave se nuk mund të flasin për emrat që u përmendën në takim pasi që kandidatët potencialë për president nuk janë kontaktuar ende.
Kurti i quajti negociatat “mjaft të vështira” dhe se do të vazhdojnë të mbajnë takime me LDK-në. “Nuk është çështje muajsh kur ne duhet të merremi vesh, është çështje javësh, e do të donim të ishte çështje ditësh. Komunikimi nuk ndërpritet, takimet do të vazhdojnë.” – deklaroi Kurti pas takimit.
Abdixhiku në anën tjetër ka deklaruar se emrat e përmendur ishin në vijë me parimet e dakorduara për pozitën e presidentit.
