Në mesjavë pritet t’i jepet fund numërimit të votave me postë

0%

Nga: Sanie Jusufi Shpërndaje në: Numërimi i votave me postë ka ndryshuar ndarjen e mandateve në Kuvendin e Kosovës. Procedimi i tyre ka ndikuar që Lëvizja Vetëvendosje të sigurojë katër ulëse më shumë, duke arritur në 52 mandate, ndërsa PDK-ja i ka humbur dy, kurse LDK-ja dhe AAK-ja kanë humbur nga një ulëse. KQZ-ja pritet ta përmbyllë procesin e numërimit gjatë kësaj jave e certifikimi pritet të bëhet më 6 korrik Afro 80 për qind e votave me postë janë numëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky proces që pritet të përmbyllet në mes të javës, rriti numrin e mandateve për Lëvizjen Vetëvendosje nga 48 në 52 ulëse. Rritja e këtij subjekti në këtë fazë të numërimit, e ka lënë pa dy ulëse Partinë Demokratike dhe pa një Lidhjen Demokratike e Aleancën për Ardhmërinë. Sipas rezultateve të përmbledhura të publikuara nga KQZ-ja, PDK-ja ka siguruar 22 ulëse, LDK-ja 19 dhe AAK-ja 7. Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka thënë se sipas trendit aktual, VV-ja mund të shkojë deri në 53 mandate, por ka theksuar se mbetet ende e diskutueshme se kujt do t’i merret ky mandat. “Gjasat janë që, në momentin e parë kur numri i mandateve të ndryshojë, LDK-ja të jetë partia që fillimisht e humb mandatin e 19-të. Megjithatë, deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, bazuar në trendin e përgjithshëm dhe përqindjet sipas komunave, pak më shumë gjasa ka që në fund PDK-ja ta humbë mandatin e 22-të”, ka thënë Cakolli. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se pas përfundimit të votave me postë do të numërohen ato me kusht si dhe ato të personave me nevoja të veçanta. “Natyrisht se pas përfundimit të numërimit të të gjitha këtyre fletëvotimeve, KQZ-ja do të presë afatin e ankesave lidhur me administrimin e numërimit në QNR, pasi palët kanë të drejtë të dorëzojnë ankesa brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar. Në rast se nuk do të ketë ankesa, KQZ-ja është e gatshme për të proceduar me shpalljen e rezultateve përfundimtare”, ka thënë Elezi. KQZ-ja po ashtu do të rinumërojë deri në 10% të vendvotimeve, fletëvotimet e të cilave janë numëruar paraprakisht në Qendrat Komunale të Numërimit. Sipas Elezit, kjo masë kontrolli është marrë nga KQZ-ja për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi. Sipas tij, shpallja e rezultateve pritet të bëhet më 26 qershor, ndërkaq certifikimi i tyre deri më 6 korrik. Bazuar në rezultatet e deritanishme, në Kuvend nga të gjitha partitë politike, ulëse kanë fituar 41 gra, prej të cilave 5 përmes kuotës gjinore. Në Lëvizjen Vetëvendosje 18 kandidate gra kanë hyrë në Kuvend pa ndihmën e kuotës. Kuota pritet t’ua mundësojë ulëset deputeteve Eliza Hoxha dhe Ariana Musliu-Shoshi nga PDK-ja. Hyrja e tyre në Kuvend do të lërë jashtë Bekim Haxhiun dhe Xhavit Halitin. Edhe në LDK të shtatë gratë fituan ulëse pa kuotë. E në Aleancë vetëm Time Kadrijaj arriti të sigurojë ulësen pa ndihmën e kuotës. Albana Bytyqi dhe Teuta Haxhiu pritet të jenë në Kuvend përmes kuotës. Hyrja e tyre do të lërë jashtë Bekë Berishën dhe Burim Ramadanin. Tri deputete gra do t’i ketë Lista Serbe, 1 KDT-ja, 1 NDS-ja, dhe 1 SDU-ja.

Burimi: Koha