Një histori e rëndë e dhunës në familje, që sipas denoncimit ka zgjatur për më shumë se një dekadë dhe ka vazhduar edhe përtej oqeanit, është raportuar në Policinë e Kosovës, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se A. S.-Z, rreth 49-vjeçare ka denoncuar bashkëshortin e saj, J.
S., rreth 46-vjeçar, duke pretenduar se gjatë 13 viteve të martesës ka qenë vazhdimisht viktimë e dhunës psikologjike, ndërsa në të kaluarën edhe e dhunës fizike, raste të cilat, sipas saj, ishin raportuar edhe te autoritetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku i dyshuari ndodhet aktualisht. Sipas kallëzimit, edhe pse ndodhej jashtë Kosovës, ai nuk kishte ndërprerë presionin ndaj saj.
Përmes rrjeteve sociale, dyshohet se i dërgonte vazhdimisht mesazhe fyese dhe kërcënuese, duke i shkruar se “do ta mbyste”, çka e kishte detyruar gruan të largohej nga shtëpia që kishin ndërtuar së bashku në Vitomiricë dhe të strehohej te familja e saj në Radavc. Në këtë konflikt është përfshirë edhe djali 12-vjeçar i çiftit.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, në prani të përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale, i mituri ka deklaruar se dëshiron të jetojë te xhaxhallarët e tij në Vitomiricë dhe nuk dëshiron të kthehet te nëna, duke pretenduar se në vendin ku ajo po qëndron nuk ndihet i sigurt dhe përballet me ngacmime nga bashkëmoshatarët.
Pas procedurave, fëmija është kthyer te familja e babait, ndërsa viktima ka mbetur te familja e saj. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprat penale “ Kanosja ” dhe “ Dhuna në familje ”. Policia është duke ndërmarrë veprime për sigurimin e prezencës së të dyshuarit, i cili ndodhet jashtë Kosovës, me qëllim intervistimin dhe vazhdimin e procedurave penale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
