Kryeministri Rama për CNN turk: Erdogani është shumë i interesuar për

0%

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për CNN Turk, ku ka folur për rezultatet e Samitit të NATO-s, marrëdhëniet Shqipëri–Turqi, situatën në Ballkan, bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe zhvillimet në sektorin e turizmit.

Rama vlerësoi Samitin e NATO-s, duke theksuar se ai konfirmoi vendosmërinë e krahut evropian të aleancës për të përballuar sfidat e sigurisë. “Nuk mendoj se kishte një vendim të vetëm më të rëndësishëm. Samiti tregoi se krahu evropian i NATO-s ka ndërtuar një strukturë shumë të fortë ushtarake dhe është i vendosur të modernizojë forcat e tij për t’iu përgjigjur kërcënimeve ,” u shpreh ai.

Kryeministri shqiptar vlerësoi gjithashtu organizimin e samitit nga Turqia, duke theksuar se mikpritja dhe profesionalizmi i treguar lanë përshtypje pozitive tek të gjithë pjesëmarrësit. Duke folur për raportin me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, Rama e cilësoi atë si një mik shumë të afërt dhe një partner strategjik për Shqipërinë. “Marrëdhënia jonë është vëllazërore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai është një mik shumë i ngushtë dhe ka bërë përpjekje të mëdha për ta çuar partneritetin mes Shqipërisë dhe Turqisë në një nivel strategjik,” deklaroi Rama. Sipas tij, Erdogan është shumë i interesuar për zhvillimet në Ballkan dhe luan një rol të rëndësishëm në nismat për paqe dhe stabilitet në rajon. Rama konfirmoi se Shqipëria pritet të jetë mikpritëse e Samitit të ardhshëm të NATO-s.

Ai shpjegoi se, edhe pse kjo nuk u përfshi në komunikatën përfundimtare, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka bërë të ditur se samiti do të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa mbeten për t’u finalizuar vetëm çështjet e planifikimit.

Bashkëpunimi me Turqinë në industrinë e mbrojtjes Kryeministri theksoi se bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve është shumë i mirë dhe shprehu gatishmërinë që kompani të tjera turke të investojnë në industrinë shqiptare të mbrojtjes. “Do të mirëprisnim më shumë kompani turke që të zhvillonin aktivitetet dhe produktet e tyre në Shqipëri,” tha ai.

Duke komentuar nismën për Platformën e Paqes në Ballkan, Rama nënvizoi se Presidenti Erdogan është shumë i angazhuar për rajonin. Sipas tij, organizimi i samitit të liderëve në kuadër të kësaj platforme varet nga vendimmarrja e Presidentit turk.

Në intervistë, Rama foli edhe për debatet rreth projektit turistik në zonën e Zvernecit, duke theksuar se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar. Ai tha se kritikat mjedisore janë të mirëpritura, por vendimmarrja do të mbështetet në vlerësimet e ekspertëve dhe jo në debatet politike.

I pyetur për atletet e bardha që kanë tërhequr vëmendje në samitet ndërkombëtare, Rama u përgjigj me humor, duke thënë se ato janë shumë më komode se këpucët klasike, edhe pse ndonjëherë nevojiten të dyja.

Burimi: Bota Sot