Federata e Futbollit vijon angazhimin e saj për krijimin e një mjedisi sa më të sigurt dhe gjithëpërfshirës për fëmijët, duke u bërë pjesë e projektit ndërkombëtar “Mbrojtja dhe Siguria e Fëmijëve në Sport”, një nismë që zbatohet nga Terre des Hommes në Shqipëri, Rumani, Kosovë dhe Greqi.
Në kuadër të këtij projekti u zhvillua takimi lançues, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit, Federatës Shqiptare të Basketbollit, Terre des Hommes Albania dhe agjencisë lokale të përzgjedhur për implementimin e projektit në Shqipëri.
Projekti synon të forcojë mekanizmat e mbrojtjes së fëmijëve në sport dhe të promovojë një kulturë sigurie, respekti dhe mirëqenieje për të gjithë fëmijët që angazhohen në aktivitetet sportive.
Në fazat e ardhshme do të organizohen fokus-grupe me futbollistë dhe basketbollistë të grupmoshave 12–14 vjeç dhe 15–19 vjeç, si dhe me prindër dhe profesionistë të sportit, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbledhjen e mendimeve mbi çështjet që lidhen me sigurinë e fëmijëve në sport.
Pjesë e panelit ishin gjithashtu Drejtoresha e Përgjithshme e Terre des Hommes Albania, Enkelejda Kallçiu, Anëtarja e Kryesisë së Federatës Shqiptare të Basketbollit, Migena Plasa, dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Alma Dandilli, të cilat vlerësuan rëndësinë e projektit si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve në sport dhe rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e një mjedisi të sigurt për çdo fëmijë.
Takimi u hap me fjalët përshëndetëse të Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, i cili vlerësoi rëndësinë e projektit dhe angazhimin e vazhdueshëm të Federatës në mbrojtjen e fëmijëve në futboll.
“Për ne është një kënaqësi e veçantë që të mirëpresim takimin lançues të projektit “Mbrojtja dhe Siguria e Fëmijëve në Sport”, një iniciativë që na bashkon të gjithëve rreth një objektivi të përbashkët: garantimin e një mjedisi sportiv të sigurt, mbrojtës dhe gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët. Futbolli është sporti më i ndjekur nga fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri.
Pikërisht për këtë arsye, ne besojmë se fusha e futbollit duhet të jetë gjithmonë një vend ku çdo fëmijë ndihet i sigurt, i respektuar dhe i mbrojtur.
Mbrojtja e fëmijëve nuk është vetëm një përgjegjësi që u takon institucioneve të mbrojtjes së fëmijëve, ajo është një përgjegjësi e përbashkët e çdo organizate sportive, trajneri, arbitri, punonjësi dhe drejtuesi klubi, e çdo personi që merret me sport dhe punon me fëmijët.
Për këtë arsye, gjatë viteve të fundit, FSHF-ja, në bashkëpunim me Terre des Hommes Albania, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar sistemin e mbrojtjes së fëmijëve në futboll. Kemi hartuar dhe miratuar Politikën e Mbrojtjes së Fëmijëve në Futboll, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në vitin 2023.
Kemi ngritur një rrjet pikash rajonale kontakti për mbrojtjen e fëmijëve, kemi investuar në zhvillimin e kapaciteteve të tyre dhe kemi organizuar takime informuese e ndërgjegjësuese me klubet dhe akademitë sportive për të promovuar standardet dhe përgjegjësitë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.
Pikërisht për këtë arsye, FSHF-ja e mbështeti me bindje projektin “Mbrojtja dhe Siguria e Fëmijëve në Sport”, duke e konsideruar atë si një mundësi për të çuar më tej punën e nisur.
Ky projekt na jep mundësinë të forcojmë më tej kapacitetet e klubeve sportive dhe profesionistëve të sportit, të përmirësojmë mekanizmat e bashkëpunimit me sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, të zhvillojmë procedura më efektive të referimit dhe reagimit, si dhe të fuqizojmë vetë fëmijët për të njohur të drejtat e tyre dhe për të kërkuar mbështetje kur kanë nevojë për të”, – tha Shulku.
Pas prezantimit të projektit dhe aktiviteteve kryesore, pjesëmarrësit vijuan punën në fokus-grupe të dedikuara për profesionistët e sportit dhe prindërit, duke diskutuar mbi sfidat, nevojat dhe praktikat më të mira për garantimin e sigurisë së fëmijëve në sport.
Përmes këtij projekti, FSHF riafirmon angazhimin e saj për të vendosur mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve në qendër të zhvillimit të futbollit, duke bashkëpunuar me partnerët vendas dhe ndërkombëtarë për të ndërtuar standarde gjithnjë e më të larta në këtë fushë.
