Shpërndaje në: Brazili kaloi tri vjet duke e ndjekur Carlo Ancelottin dhe krijohej bindja se italiani me përvojë e kishte çelësin e artë për Kupën e gjashtë të Botës për këtë përfaqësuese.
Të dielën mbrëma, pas humbjes 2:1 nga Norvegjia në një të tetën e finales, brazilianët kuptuan se edhe një nga trajnerët më të mëdhenj në futbollin e klubeve nuk mund të bëjë mrekulli me një ekip të ndërtuar mbi shpresën, nostalgjinë dhe këmbët e lodhura.
Rënia e Italisë ka qenë prej kohësh një paralajmërim se nëse një vend nuk arrin të kujdeset për futbollin e tij, mund të mbetet prapa me një shpejtësi alarmante. Brazili tani e ka rastin e vet të studimit të pakëndshëm. Ndjekja e gjatë e Ancelottit, derisa ai ishte te Real Madridi, e la Brazilin nën drejtimin e tre trajnerëve të përkohshëm.
Dhe kur tekniku italian më në fund arriti, nuk kishte asnjë shpëtim për atë që e priste përfaqësuesen. Një vit nuk ishte kohë e mjaftueshme për të riparuar tre vjet neglizhencë. Ancelotti është prej trajnerëve më të dekuruar në histori, por Kupa e Botës tregoi se ai është vetëm njeri. Disa prej vendimeve të tij më të mëdha për ekipin e goditën.
Asnjëri nuk ishte më i dhimbshëm se ai për t’u besuar lojtarëve me përvojë, që dukeshin përtej kulmit të tyre. Casemiro, Danilo dhe Neymar ishin emra të mëdhenj dikur. Por nuk shfaqën nivelin më të mirë të tyre. Të dy golat e Norvegjisë erdhën nga krahu i majtë.
Andreas Schjelderup hyri nga stoli me energjinë që Brazilit i mungonte. 34-vjeçari Danilo luajti në pozitën e mbrojtësit të djathtë, rol që nuk e kishte luajtur për shumë vjet. Ai së fundi ishte kryesisht qendërmbrojtës rezervë te Flamengo. Kjo rezultoi me mospërputhje brutale. Dhe Schjelderup ishte dominant ndaj tij. Edhe Casemiro kishte “këmbë të rënda” gjatë gjithë Botërorit.
Ai vuajti për shkak të shpejtësisë së kundërshtarëve, ndërsa nuk munguan as pasimet e gabuara. Pati vështirësi sidomos ndaj Norvegjisë, në ndeshjen e luajtur në temperaturë të lartë. Pastaj hyri Neymar, kur Brazili kishte nevojë për frymëzim. Shënoi gol nga penalltia, por që më shumë se shpëtim ishte ngushëllim. Problemi ishte ajo që ndodhi më parë. Neymari mbërriti në turne me një lëndim.
Dhe ofroi pak nga ajo që dikur e kishte bërë sulmuesin më të frikshëm në botë. I ngadaltë, i parashikueshëm dhe i pafuqishëm në lëvizje, ai paraqiti një figurë të trishtueshme në krahasim me lojtarin brilant që ishte dikur. Nëse plani ishte të përgatiste një gjeneratë për Kupën e Botës 2030, zgjedhjet e Brazilit duken edhe më të vështira për t’u shpjeguar.
Me një cikël të plotë që filloi më herët se që pritej dhe presion të kufizuar mbi skuadrën për të pushtuar botën menjëherë, Ancelotti mund ta kishte lënë gjeneratën e vjetër në shtëpi dhe t’u jepte lojtarëve më të rinj një edukim më të ashpër, por të vlefshëm. Në vend të kësaj, Brazili u përpoq të përballonte të kaluarën dhe të ardhmen dhe ra midis tyre.
Rezultati – pritje të paktën 28-vjeçare për titullin e gjashtë të Botës, një shterpësi e paimagjinueshme për një vend që ndërtoi identitetin e tij futbollistik mbi shpikjen, guximin dhe superioritetin. Për pjesën më të madhe të turneut, Brazili ishte pothuajse i panjohur. Vetëm Vinicius Jr ofroi shkëndija të dikurshme. Ai ishte kujtesë se talenti nuk është zhdukur plotësisht.
Përreth tij, Brazili dukej se nuk kishte qartësi dhe shpejtësi. Dhe, më e keqja, nuk ishte vetvetja.
