Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Aktorja fituese e çmimit “Oscar”, Reese Witherspoon, ka luajtur rol të rëndësishëm në realizimin e serialit të ri “Elle”, një parathënie e filmit të famshëm “Legally Blonde”, ku ajo është edhe producente ekzekutive.
Seriali, i cili u publikua në Prime Video më 1 korrik, tregon jetën e Elle Woods gjatë viteve të shkollës së mesme, shumë përpara se ajo të niste studimet në Harvard. Sipas producentes, Caroline Dries, Witherspoon nuk ishte e përfshirë çdo ditë në shkrimin e skenarit, por ndau vazhdimisht ide të vlefshme.
“Ajo lexoi planin e sezonit të parë, bëri pyetje dhe na jepte vazhdimisht ide të shkëlqyera nga përvoja e saj. Na thoshte: ‘Po sikur të provonim këtë ose atë?’ dhe ne përgjigjeshim: ‘Po, patjetër!’”, ka thënë Dries për revistën PEOPLE. Sipas saj, Witherspoon këmbënguli që seriali të pasqyronte sa më besnikërisht jetën e adoleshentëve në vitet ’90.
“Ajo donte të sigurohej që po e paraqisnim si duhet përvojën e shkollës së mesme në atë periudhë”, ka shtuar Dries. Edhe producentja Laura Kittrell ka treguar se Witherspoon i inkurajoi skenaristët të përfshinin detaje dhe ndjesi karakteristike të viteve ‘90, ndërsa u dha atyre liri të plotë krijuese.
Regjisori dhe producenti Jason Moore ka thënë se Witherspoon u mbështet edhe në përvojën e saj si nënë. “Ajo na tregonte: ‘Ja çka po përjetonin fëmijët e mi dhe çka mbaj mend nga koha kur isha një vajzë e re’”, ka thënë ai. Sipas Moore, Witherspoon ishte shumë e hapur ndaj ideve të reja.
“Ajo e di që është Elle Woods, por e kupton se ky personazh ka marrë një kuptim të veçantë për shumë njerëz. Në çdo takim donte të dëgjonte ide të reja”, u shpreh ai. Ndërkohë, producentja Lauren Neustadter zbuloi se Witherspoon këmbënguli që përzgjedhja e aktores kryesore të bëhej përmes një audicioni të hapur.
“Ajo mendoi se gjëja më e drejtë, ashtu si do të bënte edhe vetë Elle Woods, ishte t’i jepte çdo vajze të re mundësinë të konkurronte për rolin”, ka thënë Neustadter. Pas mijëra aplikimeve, roli i Elle Woods së re iu besua aktores së re Lexi Minetree. “Lexi na tërhoqi menjëherë vëmendjen. Audicioni i saj ishte shumë argëtues dhe interpretimi ishte i jashtëzakonshëm”, ka shtuar producentja.
Witherspoon interpretoi për herë të parë Elle Woods në filmin “Legally Blonde” në vitin 2001, ndërsa u rikthye në vazhdimin e tij në vitin 2003. Personazhi i saj mbetet një nga figurat më ikonike të komedive moderne, ndërsa seriali i ri zbulon ngjarjet që formësuan Elle Woods shumë përpara se ajo të hynte në Harvard. Traileri i serialit:
