Qëndisja tradicionale që mban gjallë identitetin dhe qëndresën e

0%

Nga: Associated Press Përktheu:

Blerta Haxhiu Shpërndaje në: Për palestinezët e diasporës, tatreezi, arti tradicional i qëndisjes, është shumë më tepër sesa një zanat i trashëguar brez pas brezi. Ai është një mënyrë për të ruajtur identitetin, për të mbajtur gjallë kujtesën e atdheut dhe për të shprehur qëndresën përmes kulturës, ndërsa lufta në Gaza i ka dhënë kësaj tradite një domethënie edhe më të thellë.

Dekada më vonë, Samar Kabouli ende e kujton me mall kohën kur mblidhej me gratë e familjes së saj, pinin kafe të aromatizuar me kardamom dhe qëndisnin pëlhura me fije shumëngjyrëshe, duke krijuar motive tradicionale palestineze. E lindur në Liban nga prindër refugjatë palestinezë, Kabouli nuk e kishte parë kurrë vendlindjen e prindërve të saj.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, për të, qëndisja nuk ishte thjesht krijimi i modeleve të bukura. Çdo fije që kalonte nëpër gjilpërë krijonte një lidhje të fortë me trashëgiminë dhe identitetin e saj palestinez. Kjo traditë njihet me emrin “tatreez”, arti tradicional palestinez i qëndisjes, të cilin Kabouli, tashmë 48 vjeç, nisi ta praktikonte që në adoleshencë për të siguruar të ardhura.

Përveçse një burim jetese, tatreezi është bërë për të një urë që e lidh me tokën nga e cila prindërit e saj u detyruan të largoheshin gjatë shpërnguljes masive të vitit 1948, ngjarje që palestinezët e quajnë Nakba, ose “Katastrofa”.

Gjatë luftës së vitit 1948, e cila shoqëroi krijimin e shtetit të Izraelit, qindra mijëra palestinezë u dëbuan ose u larguan nga shtëpitë e tyre në territorin që sot përbën Izraelin. Më pas, Izraeli nuk u lejoi atyre të ktheheshin në vendbanimet e tyre. Përmes punës së saj, Kabouli përpiqet të përcjellë një mesazh qëndrueshmërie dhe mbijetese. “Ne ende jemi këtu”, tha ajo.

“Pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur në Gaza… ne vazhdojmë të qëndrojmë të fortë dhe nuk do ta harrojmë kurrë çështjen tonë”. Nga kampet e refugjatëve te grupet e grave që mblidhen për të qëndisur, nga sallat e muzeve deri te kurset online, shumë pjesëtarë të diasporës palestineze në mbarë botën e praktikojnë tatreezin jo vetëm si një art dekorativ.

Për ta, kjo traditë përfaqëson një mënyrë për të festuar trashëgiminë kulturore, një urë lidhëse me atdheun dhe me komunitetet palestineze të shpërndara nëpër botë, si edhe një gjuhë vizuale përmes së cilës rrëfehen histori.

Me simbolet e shumta të qëndisura në pëlhurë, tatreezi është shndërruar për shumë palestinezë, qofshin refugjatë apo jo, në një simbol të identitetit dhe krenarisë kombëtare, një mjet për të dokumentuar historinë dhe një formë të rezistencës kulturore.

Pas shpërthimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, disa artizanë e kanë përdorur tatreezin edhe për të mbledhur fonde për banorët e Gazës ose kanë qëndisur motive të lidhura me Gazën, me synimin për të tërhequr vëmendjen ndaj vuajtjeve të palestinezëve në enklavë.

“Patëm shumë njerëz që na u drejtuan duke na thënë: ‘Duam të krijojmë një bluzë me motivin e Gazës’ ose ‘duam një shall me modelin karakteristik të Gazës’” tha Ali Jaafar, menaxher i përgjithshëm i Shoqatës Inaash, organizata ku punon Kabouli.

Kjo organizatë libaneze u siguron grave palestineze në kampet e refugjatëve në Liban një burim të domosdoshëm të ardhurash përmes punimeve me tatreez, ndërsa njëkohësisht synon ta ruajë dhe ta promovojë këtë trashëgimi kulturore. Ajo shet veshje të qëndisura, artikuj për dekorimin e shtëpisë dhe vepra arti, si edhe e prezanton këtë formë tradicionale të qëndisjes në ekspozita dhe muze.

Mbrojtja e trashëgimisë e rezistenca përmes kulturës Përpjekjet për të ruajtur dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi tatreezin në komunitetet palestineze, si në territoret palestineze ashtu edhe në diasporë, janë pjesë e një angazhimi më të gjerë për të mbrojtur një trashëgimi kulturore dhe lidhjet me një histori e një vend, të cilat shumë palestinezë kanë frikë se rrezikojnë të zhduken.

“Tatreezi palestinez është identiteti ynë dhe një dokument që dëshmon praninë tonë në çdo fshat dhe qytet palestinez”, tha Maha Saca, themeluese dhe drejtoreshë e Qendrës së Trashëgimisë Palestineze në Betlehem, në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Sipas saj, fustanet tradicionale të vjetra të qëndisura, të njohura si “thobe”, dëshmojnë praninë e palestinezëve në zona të caktuara përpara shpërndarjes së popullsisë. “Gruaja palestineze e ka shkruar historinë e fshatit të saj përmes motiveve të frymëzuara nga mjedisi përreth dhe nga besimet e saj”, tha Saca. “Ne po rezistojmë përmes kulturës dhe po themi se kemi rrënjë”.

Në vitin 2021, arti tradicional palestinez i qëndisjes u përfshi në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s.

Në Nju Jork, Lina Barkawi, e cila drejton një biznes të vogël për mësimin e tatreezit, tha se “lufta e vazhdueshme për liri dhe për njohjen e identitetit palestinez në nivel ndërkombëtar është ajo që ka nxitur në masë të madhe dokumentimin e kësaj trashëgimie”.

Traditë që kalon brez pas brezi Në gjuhën arabe, fjala tatreez i referohet qëndisjes në përgjithësi, por edhe formës tradicionale palestineze të saj. Kjo praktikë është zakonisht një traditë shoqërore që përcillet nga gjyshet dhe nënat te vajzat e familjes, megjithëse disa zgjedhin të ndjekin edhe trajnim profesional.

Sipas Sacës, motivet që gratë palestineze kanë marrë historikisht nga mjedisi ku jetonin bëjnë që fustanet tradicionale të qëndisura të ofrojnë të dhëna përmes modeleve, dizajnit dhe ngjyrave mbi historinë personale të një gruaje, mjedisin ku jetonte dhe identitetin rajonal të saj.

Në kontekstin palestinez, këto lidhje me kohën dhe vendin, përfshirë edhe zonat që sot ndodhen brenda territorit të Izraelit, marrin një rëndësi të veçantë si dëshmi e asaj që ka ekzistuar dikur. “Si mund të kemi një thobe të Jafës nëse nuk kemi jetuar në Jafa?” pyet Saca. “Ne e shkruajmë historinë tonë në fustanet tona”. Ekziston gjithashtu edhe një ndjenjë vazhdimësie ndërmjet brezave.

Saca tregoi se fustani i martesës i gjyshes së saj mbart tiparet karakteristike të veshjeve tradicionale të Betlehemit, ndërsa fustani i pagëzimit të mbesës së saj është zbukuruar me qëndisje të kopjuara nga ai fustan. Tatreezi mund të marrë edhe një dimension politik, si përmes ruajtjes së modeleve tradicionale, ashtu edhe përmes krijimit të motiveve të reja.

“Vetë fakti që kemi ende disa fustane të ruajtura nga periudha para vitit 1948 është një akt politik”, tha Barkawi. Një shembull tjetër është krijimi i të ashtuquajturit “thobe i Intifadës”, i cili përmban simbole politike dhe kombëtare palestineze të qëndisura, përfshirë flamurin palestinez.

Ky fustan lidhet me Intifadën e Parë, kryengritjen palestineze që shpërtheu në vitin 1987 kundër pushtimit izraelit dhe që u përball me një reagim të ashpër nga Izraeli. Qëndisja si formë zie dhe dokumentimi Pas luftës në Gaza, e cila u nxit nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më , stilistja Hama Hinnawi e shprehu dhimbjen e saj përmes punimeve me tatreez.

Tatreezi zakonisht karakterizohet nga ngjyra të ndezura, tha ajo. Por kjo nuk ishte një kohë për ngjyra. Rezultati ishte një qëndisje me fije të zeza mbi pëlhurë të zezë, si simbol zie për vrasjet, shkatërrimin dhe zhvendosjen e popullsisë në Gaza. Ajo ka eksperimentuar gjithashtu duke shndërruar disa nga skenat më të njohura të luftës në motive të reja qëndisjeje.

“Ne mbajmë një përgjegjësi të madhe mbi supe për ta treguar këtë histori, në mënyrë që ajo të mos varroset për brezat e ardhshëm… përmes tatreezit, përmes artit dhe përmes fjalës”. E lindur në Jordani nga prindër palestinezë, Hinnawi dëshironte që përmes markës së saj të modës të promovonte trashëgiminë palestineze duke ndërthurur tatreezin tradicional me modën bashkëkohore.

Për të, tatreezi do të thotë thjesht shtëpi. “Ai është identitet, krenari dhe rrëfim historie”, tha Hinnawi, e cila jeton mes Çikagos dhe Jordanisë. Ajo ka krijuar mundësi punësimi për gratë palestineze në kampet e refugjatëve në Jordani përmes punimeve të qëndisjes dhe ka mbajtur ligjërata në Shtetet e Bashkuara mbi tatreezin. Para luftës, ajo kishte bashkëpunuar edhe me gra në Gaza.

Ndërkohë, Barkawi drejton një komunitet online të qëndistareve palestineze dhe jo-palestineze, ku disa prej pjesëmarrëseve kanë krijuar modele që shiten për të mbledhur fonde për familjet në Gaza. Njëri prej tyre përfshin një motiv me ujë dhe fara, të shoqëruar me mesazhin e qëndisur: “Ushqeni Gazën tani.”

Anëtarë të komunitetit në vende të ndryshme rindërtuan gjithashtu një sixhade që dikur varej në një shtëpi të bombarduar në Gaza. Secili qëndisi një pjesë të saj dhe më pas ia dërgoi me postë pjesën tjetrit, derisa vepra u përfundua.

E lindur në Shtetet e Bashkuara nga një baba palestinez dhe një nënë panameze, Barkawi tha se njohja me tatreez-in e ndihmoi ta thellonte identitetin e saj palestinez. Fustane të reja që mbartin histori të qëndisura Përfundimi i fustanit të saj të parë tradicional, një thobe, i mori Barkawit dy vjet.

Ajo përfshiu motive me domethënie personale, si pemët e palmës që përfaqësojnë emrin e saj në gjuhën arabe. Për nder të nënës së saj, shtoi edhe orkide, lulen kombëtare të Panamasë. Edhe pse teknikisht nuk ishte i përsosur, ai ishte fustani ideal për ceremoninë e saj të martesës islame. “Në këtë fustan kam qëndisur historinë time si palestineze e diasporës”.

Edhe në Liban, Kabouli kishte ëndërruar dikur të kishte një punim me tatreez në pajën e saj të nusërisë. Por nuk kishte mundësi ekonomike për ta blerë. Pas vdekjes së prindërve të tyre, motra e saj më e madhe iu bashkua Shoqatës Inaash dhe nisi të merrej me tatreez për të ndihmuar financiarisht familjen e madhe. Kabouli e mësoi këtë zanat prej saj.

Sot, si mbikëqyrëse e prodhimit në Inaash në Bejrut, Kabouli e sheh veten e dikurshme te gratë që punojnë në kampet e refugjatëve palestinezë në Liban, shumë prej të cilëve ndodhen në jug të vendit, zonë që u godit rëndë nga lufta e fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Ngjyrat e gjalla të tatreezit shpesh krijojnë një kontrast të fortë me kushtet e vështira të jetesës në kampet e refugjatëve, ku palestinezët përballen me kufizime në punësim dhe në shumë fusha të tjera të jetës.

Për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, gratë që dëshirojnë të përfundojnë punimet dhe të marrin pagesën, shpesh ngjiten në tarracat e shtëpive për të shfrytëzuar rrezet e fundit të diellit, tha Jaafar. Përveç të ardhurave që siguron, Kabouli thotë se puna me tatreez ka edhe një efekt qetësues, pothuajse meditues.

Megjithatë, ajo ruan ende një dëshirë të madhe: të vizitojë vendlindjen e prindërve të saj, një zonë që sot ndodhet brenda territorit të Izraelit. Deri atëherë, tatreezi vazhdon t’i japë shpresë. “Nuk ndihem sikur jam larg. Vazhdoj të punoj për trashëgiminë palestineze dhe ta mbështes çështjen tonë”, tha ajo.

“Tatreezi më lidh me atdheun tim, veçanërisht sepse na është mohuar mundësia të jetojmë në të”.

Burimi: Koha