Në prag të shënimit të 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës priti në takim delegacionin amerikan nga iniciativa “America250”, të përbërë nga profesorë, udhëheqës organizatash, veteranë ushtarak dhe aktivistë të kësaj nisme.
Fillimisht, gjeneral Jashari e falënderoi delegacionin amerikan për vizitën dhe përkushtimin e tyre në promovimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, si dhe vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i japin Republikës së Kosovës, përkatësisht partneritetin e ngushtë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe institucioneve amerikane të mbrojtjes.
Po ashtu, gjeneral Jashari i informoi anëtarët e delegacionit për zhvillimet aktuale dhe avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe për rolin e saj në sigurinë e vendit dhe kontributin e rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Në anën tjetër, profesori Serwer dhe delegacioni amerikan vlerësuan lart zhvillimin dhe të arriturat e deritanishme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe kontributin e saj në misionet ndërkombëtare.
Gjatë takimit, palët diskutuan edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe shkëmbyen pikëpamje mbi rëndësinë e avancimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt integrimit në strukturat euroatlantike, përkatësisht në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Në përmbyllje, GLT Jashari uroi delegacionin amerikan me rastin e jubileut historik të 250 vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se ky përvjetor simbolizon miqësinë e qëndrueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe partneritetit strategjik.
Në fund, palët riafirmuan përkushtimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe institucioneve amerikane të mbrojtjes, duke theksuar se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës mbetet një faktor kyç për sigurinë, stabilitetin dhe paqen e qëndrueshme në rajon.
