Shpërndaje në: Pozita e presidentit të Kosovës është pozita më politike në vend dhe zgjedhja e tij varet ekskluzivisht nga marrëveshjet ndërmjet partive politike, ka thënë Qemajl Marmullakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke komentuar diskutimet rreth emrit të presidentit të ardhshëm.
Sipas tij, praktika politike në Kosovë ka treguar se edhe emërimet në borde të institucioneve rajonale bëhen përmes marrëveshjeve politike, prandaj është e pritshme që e njëjta logjikë të vlejë edhe për postin e presidentit. “Historiku i Kosovës ka treguar se edhe bordet më të thjeshta rajonale janë politike, janë dakordime politike, nepotizëm, e lëre më presidenti.
Pozita e presidentit është pozita më politike në vend, përkundër faktit se me Kushtetutë qëndron mbi partitë dhe nuk duhet të jetë anëtar i asnjë partie kur e merr pozitën”, ka thënë Marmullakaj në “Konfront” të KTV-së.
Ai shtoi se, bazuar në përvojën e deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese ka preferuar që në këtë post të propozojë figura të saj, ndonëse në raste të caktuara është orientuar edhe drejt zgjidhjeve të tjera. Marmullakaj vlerësoi se emrat që përfliten publikisht nuk duhet të bëhen objekt diskutimi pa pasur më parë një dakordim politik ndërmjet partive.
“Dakordimet politike do ta nxjerrin nëse presidenti i ardhshëm do të jetë nga partitë, shoqëria civile apo fusha të tjera. Është çështje e marrëveshjes politike”, deklaroi ai.
