Me nderime të larta ushtarake dhe qytetare në Junik iu dha lamtumira e fundit veteranit të luftës së UÇK-së, Faik Tofa. “Me dhimbje të thellë po i japim lamtumirën e fundit njërit prej birit më denjë të Junikut dhe Kosovës, veteranit të UÇK-së, bashkëluftëtarit tonë Faik Tofaj.
Sot doli nga rreshti i dalzotësve të atdheut edhe një luftëtar i lirisë, një zemër që rrahu për veç Kosovën në ditët më të vështira të saj por emri dhe vepra e tij mbetën përgjithmonë në kujtesën e bashkëluftëtarëve, familjes dhe të popullit që ai e deshi mbi gjithçka”, ka thënë Hysen Berisha, bashkëluftëtar, 138 Agim Ramadani.
Bashkëluftëtarët evokuan momentet të veçanta por të lavdishme të angazhimit të tij gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së. “Faik Tofaj nuk është ndalur edhe pas plagosjes së komandantit, Nimon Tofaj. Ishte edhe më i ashpër në vijat e frontit për çlirimin e vendit. Nuk e ka penguar plagosja e babës por ishte edhe më i guximshëm, edhe më aktiv”, ka thënë Muharrem Gacaferi, bashkëluftëtar.
“Ishte një humbje e papritur për shkak për shkak të sëmundjes që ia shkurtoi jetën një njeriu i cili kishte karakter luftarak gjatë gjithë jetës së tij, por edhe jemi shumë krenar që ka lënë pas vepra me të cilat krenohemi jo vetëm familja e ngushtë por edhe Juniku dhe lokaliteti përreth” , ka thënë Jetmir Tofaj, familjar. Faik Tofa ishte pjestar i Brigadës 138 Agim Ramadani.
Ai u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë ndërsa pas vetes la prindërit, vëllezërit, bashkëshorten dhe tri vajza.
