Shitësit në Tregun e Gjelbër të Prishtinës thonë se problemi me mungesën e ujit vazhdon. Sipas tyre, ka më shumë se një javë që tregu nuk furnizohet me ujë, duke e bërë të vështirë ruajtjen e higjienës dhe zhvillimin normal të aktivitetit tregtar.
Pavarësisht temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, ata vazhdojnë të punojnë çdo ditë, edhe pse numri i blerësve ka rënë për shkak të vapës. Megjithatë, mungesa e ujit po u shkakton humbje financiare, pasi nuk kanë mundësi t’i freskojnë produktet, sidomos frutat dhe perimet, të cilat po prishen më shpejt për shkak të vapës.
Përveç mungesës së ujit, ata ankohen edhe për kushtet e përgjithshme në treg, duke përmendur infrastrukturën e amortizuar, mungesën e kanalizimeve dhe premtimet e parealizuara për investime ndër vite. Megjithatë, për shitësit, debati mbi përgjegjësitë institucionale nuk e ndryshon realitetin e përditshëm.
Ata kërkojnë që institucionet të veprojnë sa më shpejt për rikthimin e furnizimit me ujë dhe për përmirësimin e kushteve në treg.
