Bugaqku: Ankesa e Listës Serbe në PZAP s’ka bazë kushtetuese

0%

Shpërndaje në: Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se asnjë autoritet ligjor e as institucional në Kosovë, nuk guxon ta selektoj një qytetar apo grup qytetarësh dhe t’ia imponoj preferencën për votë.

Bugaqku i është referuar ankesës së Listës Serbe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa e cila ka kundërshtuar rezultatin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë që udhëhiqet nga Nenad Rashiq, pasi ka pasur vota edhe nga shqiptarët. Sipas Bugaqkut, kjo ankesë e Listës Serbe nuk ka bazë kushtetuese.

“Nuk është se e kemi përmbajtjen e plotë të ankesës sepse nuk është bërë e ditur në detaje. Megjithatë ne duhet ta kemi të qartë dhe pa e paragjykuar vendimin e PZAP-së që është në diskrecionin e tyre të plotë të vendosin, por unë mendoj që Kushtetuta e Kosovës sa i përket votës është shumë e qartë dhe ka parime që garanton se vota nuk është selektive.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pra, Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtën e votës për çdo shtetas të Kosovës që i ka mbushur 18 vjet dhe ka të drejtën e votës dhe ky është mbase kriteri i vetëm”, ka deklaruar Bugaqku në emisionin “Interaktiv” në KTV.

Lista Serbe të hënën ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Në ankesë pretendohet se partia Për Liri Drejtësi dhe Mbijetesë e udhëhequr nga Nenad Rashiq, ka siguruar një numër të konsiderueshëm votash nga votues shqiptarë.

Për këtë arsye, Lista Serbe e konsideron të papranueshme që, siç thuhet “mandati të fitohet me vota nga komunitetet joserbe dhe në komuna ku praktikisht nuk ka serbë”. Sipas rezultateve, Lista Serbe ka siguruar nëntë mandate, ndërsa një mandat i ka takuar listës “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, i cili është fituar nga Nenad Rashiqi.

PZAP-ja ka afat 4 ditë për të kthyer përgjigje në ankesë. Nëse ankesa refuzohet, ata kanë të drejtë ankesë në Gjykatën Supreme. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep Supremes afat prej pesë ditësh për të vendosur lidhur me ankesat. Me përfundim të shqyrtimit të ankesave KQZ-së i hapet rruga për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Burimi: Koha