WhatsAppi sjell veçori të re – komunikim pa numra telefoni

0%

Nga: BBC Shpërndaje në: WhatsApp do t’u mundësojë përdoruesve të bisedojnë pa pasur nevojë të zbulojnë numrin e tyre të telefonit, duke përdorur emra unikë të përdoruesit (usernames). Kjo veçori do të shpërndahet globalisht gjatë muajve të ardhshëm për rreth tre miliardë përdoruesit e platformës.

Duke filluar nga e hëna, përdoruesit do të mund të rezervojnë një emër përdoruesi përmes aplikacionit, megjithëse kjo nuk do të jetë e detyrueshme. Kompania ka bërë të ditur se përdoruesit do të kenë mundësi ta ndryshojnë ose ta fshijnë emrin e tyre të përdoruesit në çdo kohë.

Pasi funksioni të aktivizohet plotësisht, përdoruesit e WhatsApp do të mund të lidhen me njëri-tjetrin vetëm duke shkëmbyer emrat e përdoruesit, pa qenë nevoja të ndajnë numrat e telefonit. Gjithashtu, do të mbeten në dispozicion opsionet për bllokimin ose raportimin e mesazheve të padëshiruara.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Emrat e përdoruesit do të kufizohen në 35 karaktere dhe do të ketë pak kufizime, me përjashtim të disa emrave të zyrtarëve të lartë dhe personazheve të famshëm, të cilët nuk do të jenë të disponueshëm për përdorues të tjerë. Kjo do të thotë se, për shembull, nuk do të jetë e mundur që shumë përdorues të regjistrohen me emrin “Donald Trump”.

Kompania në pronësi të Meta-s e ka përshkruar këtë funksion si një veçori që rrit privatësinë. Alice Newton-Rex, drejtoreshë e produkteve në WhatsApp, tha se shumë përdorues kanë shprehur dëshirën që të mos ndajnë gjithmonë numrin e telefonit për të komunikuar me të tjerët, veçanërisht në bisedat në grup.

Ajo shtoi se shpreson që kjo veçori t’u japë përdoruesve “më shumë kontroll mbi mënyrën se si zgjedhin të paraqiten” në aplikacion. Aplikacioni i mesazheve të koduara Signal prezantoi një shërbim të ngjashëm në vitin 2024.

“Është një funksion i mirë, por edhe nëse ofron më shumë privatësi, duhet të kujtojmë se WhatsApp nuk është një aplikacion plotësisht miqësor ndaj privatësisë”, tha Carisa Veliz, profesoreshë në Universitetin e Oksfordit dhe autore e librit Privacy is Power . “Ai mbledh shumë metadata për përdoruesit për qëllime marketingu.

Duhet të kujtojmë se WhatsApp është në pronësi të Meta-s, një prej kompanive të teknologjisë me historikun më problematik sa i përket privatësisë.” Megjithatë, WhatsApp nuk përdor përmbajtjen e bisedave private për reklama. Këto biseda mbrohen me enkriptim nga skaji në skaj (end-to-end encryption), që do të thotë se kompania nuk mund të lexojë përmbajtjen e mesazheve.

Burimi: Koha