Kur fitorja shndërrohet në “diktaturë” vetëm pse nuk fiton opozita

0%

Nëse e dëgjon opozitën kosovare me një vesh pak më të relaksuar dhe me një humor të tipit “HAJ KUKU MEDET”, të krijohet përshtypja se demokracia është një sistem shumë delikat: mjafton që fituesi i zgjedhjeve të marrë edhe një post shtesë, dhe papritur republika kthehet në një film horror me titullin “Diktatura që erdhi nga kutitë e votimit”.

Pra, skenari është ky: qytetari voton, numrat dalin, partia fituese del e para… dhe pastaj fillon alarmi kombëtar: “Rrezik! Po i marrin tri pozitat kryesore të shtetit! Demokracia është në rrezik!” Si të thuash, fituesi qenka i rrezikshëm pikërisht sepse… fitoi. Tani le ta shohim këtë “katastrofën tonë institucionale” pak më afër. Kryetari i Kuvendit?

Nuk është ndonjë shpikje e improvizuar në WhatsApp-in e partisë fituese. Rregullat dhe interpretimet kushtetuese e thonë qartë: i takon shumicës parlamentare. Në çdo vend normal kjo quhet procedurë. Në versionin opozitar kosovar quhet “grusht shteti”. Pse ? Vetëm pse presidenti i shtetit nuk vjen si Atifetja, i mbështjellë me zarfin A4 të Kristofer Dellit”. Kryeministri?

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ky post zakonisht nuk bie nga qielli si meteor politik. Ai del nga vota. Dhe kur një subjekt politik del i pari dhe lideri i tij është më i votuari në vend, kjo në sistemet demokratike quhet “rezultat zgjedhor”, e jo “komplot i errët oriental”. Presidenti? Këtu fillon pjesa më interesante e dramës.

Sipas propozimeve të vetë kryeministrit, flitet për një figurë konsensuale, mbi-partiake, me integritet. Por në versionin opozitar, kjo lexohet si: “po përgatitet diktatura… por me diplomë europiane”.

Dhe pastaj vjen refreni i madh: “Nëse i marrin të tria postet kryesore, do e kapin shtetin!” Ndërkohë, askush përveç meje nuk e shpjegon me qetësi matematikën elementare: nëse partitë fituese i marrin të tria postet kryesore përmes shumicës parlamentare dhe marrëveshjeve institucionale, kjo nuk është kapje shteti — është arkitekturë politike e dalë nga vota.

Por le ta bëjmë një eksperiment mendor, ashtu siç e kërkon debati i panevojshëm dramatik. Në Gjermani, për shembull, nuk u shemb Republika kur tri institucionet më të rëndësishme të shtetit u udhëhoqën nga e njëjta familje politike në të njëjtën kohë.

Kur Horst Köhler u bë President federal (me mbështetje të CDU/CSU), Angela Merkel (CDU) ishte Kancelare, dhe kryetari i Bundestagut ishte Norbert Lammert (po ashtu CDU). Askush nuk doli në Berlin me pankarta: “Republika po bie sepse fituesit po fitojnë”. Përkundrazi, u quajt sistem parlamentar.

Por në versionin tonë kosovar të interpretimit amator politik, e njëjta situatë do përkthehej: “Alarm! Demokracia u përqendrua në duar të gabuara!” (dmth: në duart e atyre që dolën të parët në zgjedhje) Dhe këtu vjen pyetja që e bën gjithë këtë dramë paksa komike: Nëse opozitarët tanë të dashur janë të bindur se çdo përqendrim institucional i shumicës është diktaturë, atëherë çfarë është demokracia sipas tyre?

Një sistem ku fituesi del i pari… por qeveris vetëm nëse humbësit e lejojnë? Sepse në atë logjikë, zgjedhjet nuk prodhojnë fitues — prodhojnë vetëm administratorë të përkohshëm që duhet të kalojnë fillimisht “testin e miratimit nga pakica e përhershme”. Dhe këtu Kishoni do ndalej, do e shikonte skenën, do e tundte kokën dhe do thoshte diçka të thjeshtë: “Ky nuk është sistem politik.

Ky është teatër ku fituesi duhet të kërkojë falje që fitoi.” Në fund, frika se “një parti po i merr të gjitha” shpesh nuk është analizë kushtetuese — është nostalgji për një realitet ku humbja ka më shumë të drejta se fitorja. Dhe kjo, sado dramatike të tingëllojë, nuk është krizë demokracie. Është krizë e pranimit të rezultatit.

Opozitarë të dashur : A e keni të qartë, apo duhet t’jua vizatoj në gjuhën tuaj të dashur serbe, edhe pse e kuptoni vetëm pak, si Dullo Kotinski?

Burimi: Bota Sot