Fushata dezinformuese kundër Nenad Rashiq në mediat e kontrolluara

0%

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë që u mbajtën më , disa media serbe dhe ruse në gjuhën serbe intensifikuan narrativën se partia Lista Serbe është i vetmi subjekt politik që përfaqëson interesat e komunitetit serb në Kosovë.

Ndërkohë, partitë tjera politike serbe, veçanërisht subjekti politik që drejton Nenad Rashiq, “Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, u paraqitën si jo legjitime, “të lidhura me institucionet e Kosovës” ose si “instrumente politike të Albin Kurtit”.

Kjo narrativë është identifikuar në artikujt e publikuar nga Russia Today Balkan , Sputnik Serbia , si dhe në deklaratat e zyrtarëve të lartë të Serbisë, presidenti Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq . Përveç Listës Serbe, në zgjedhjet e parakohshme mori pjesë edhe një forcë tjetër politike e drejtuar nga Nenad Rashiq.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërkohë që një subjekt i tretë serb, iniciativa “Fitojmë së Bashku”, nuk u certifikua për pjesëmarrje në zgjedhje. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e raportimeve nga Serbia dhe mediat ruse nuk i trajtojnë këto subjekte si aktorë politikë të barabartë, por si faktorë që rrezikojnë “unitetin serb” ose si “projekte politike të Prishtinës”.

Në një dokumentar të prodhuar nga Kallxo Përnime, kryetari i Nenad Rashiq, kishte rrëfyer përballjen e tij personale me dezinformatat që vijnë nga Serbia, me theks të veçantë me dezinformatat që vijnë nga mediat e kontrolluara nga partia e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Jo vetëm në formën votoni apo mos votoni, por deri te stigmatizimi: ‘Ky Rashiqi është njeriu më i keq, është tradhtari i klasës së parë, e ka bërë kështu e kështu. Ai nuk është as njeri, nuk është as serb, e ka ndryshuar fenë’.

Njerëzit normalë nuk e pranojnë, por problemi është që kur bombardoni për çdo ditë me deklarata që bëjnë Vuçiqi, Petkoviqi, apo Lista Serbe, është i njëjtë me modelin e njëjtë. Ju në një moment, duhet ta shikoni nga këndvështrimi i një pensionisti aty, i cili po shikon për çdo ditë, për 24 orë, Pinkun dhe Informerin. Normale që ka ndikim”- kishte thënë Rashiq.

Narrativa dezinformuese se “Vetëm Lista Serbe mbron interesat e serbëve” Në raportimet e Sputnik Serbia dhe RT Balkan, Lista Serbe paraqitet vazhdimisht si mbrojtësja e vetme e shkollave serbe, spitaleve, institucioneve dhe identitetit kombëtar serb në Kosovë. Mënyra se si paraqitet kjo parti në raportime, lë të nënkuptohet se Lista Serbe është i vetmi opsion për votuesit serb.

Kjo narrativë është shtyrë edhe nga zyrtarë të Serbisë, si presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq . Gjatë fushatës zgjedhore e cila nisi më , ata bënë thirrje për votim dhe mbështetje ndaj Listës Serbe, duke cilësuar se vetëm kjo parti “është garanci për ruajtjen e interesave kombëtare serbe në Kosovë e Metohi”.

Petkoviq gjatë një konference më , deklaroi se çdo votë për Listën Serbe është një votë për mbijetesën dhe qëndrimin e popullit serb në Kosovë.

Ndërsa, duke folur për zgjedhjet e përkohshme, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq tha se është e rëndësishme që Lista Serbe të fitojë të 10 mandatet e garantuara për komunitetin serb dhe theksoi se “nuk ka vend për ndarje politike midis serbëve në Kosovë në institucionet ku grupet më radikale politike të shqiptarëve kanë shumicën”.

Sputnik Serbia portretizoi procesin zgjedhor si “një luftë për mbijetesën dhe ruajtjen e popullit serb dhe institucioneve serbe në Kosovë”. Ky medium publikoi një deklaratë të kryetarit të Listës Serbe, Zlatan Elek i cili shprehej se, procesi i zgjedhjeve nuk është i zakonshëm.

Ndonëse Lista Serbe ka dominuar për vite me radhë në shumicën e vendeve të rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës por edhe në garën për zgjedhje lokale, në sistemin demokratik kjo nuk e përjashton të drejtën e subjekteve të tjera për të garuar dhe për të kërkuar mbështetjen e votuesve.

Në dy palë zgjedhjet e fundit qendrore, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka arritur të sigurojë një ulëse prej 10 sa janë të garantuara me Kushtetutë për komunitetin serb në Kosovë ( këtu dhe këtu ). Njëjtë ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mbajtura më . Ligjet e Kosovës lejojnë regjistrimin dhe certifikimin e më shumë se një partie politike serbe.

“Çdo subjekt politik në kërkesën e tij tregon nëse dëshiron të hyjë në garë për të fituar ndonjërin prej vendeve të garantuara për përfaqësim të serbëve dhe komuniteteve tjera jo-shumicë të Kosovës, sipas nenit 64 të Kushtetutës.”- thuhet në nenin 15 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

Më tej, sipas Ligjit , partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin serb, do të kenë numrin e vendeve në Kuvend të fituar në zgjedhjet e hapura, me minimumin dhjetë vende të garantuara.

Në raportimet e mediave në gjuhën serbe, të cilët kanë transmetuar gjithashtu edhe deklarata të liderëve serb, Nenad Rashiqin e kanë portretizuar si “figura që vepron në interesa të shtetit të Kosovës dhe në dëm të serbëve”. Lista Serbe madje paraqiti ankesë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa se kandidatët që garojnë nga partia e Rashiqit nuk i përkasin komunitetit serb.

PZAP kishte refuzuar këtë ankesë dhe më pas Lista Serbe kishte parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme. Edhe Supremja e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e “Listës Serbe”. Gjykata ka vlerësuar se Lista Serbe nuk ka ofruar prova konkrete dhe të besueshme për të mbështetur pretendimin se kandidatët e certifikuar nuk i përkasin komunitetit serb.

Mediumi Sputnik Serbia në datën kur filloi fushata zgjedhore më , raportoi se Lista Serbe nisi fushatën zgjedhore në Zveçan, mirëpo nuk përmendi askund subjektin e Rashiqit. Kurse në ditën kur nisi fushata RT Balkan, transmetoi një deklaratë të Petkoviq i cili e quante Rashiq “shërbëtor të Kurtit”. Deklarata të njëjta u thanë edhe nga presidenti serb, Vuçiq .

Mediat në gjuhën serbe dhe liderët shtetëror përpiqen që të shtyjnë narrativën se Nenad Rashiq nuk është përfaqësues legjitim i serbëve në Kosovë, por një “serb i Kurtit” që vepron në interes të institucioneve të Kosovës dhe kundër interesave të komunitetit serb.

Pretendimet për “vjedhje të mandatit serb” Me fillimin e publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të , mediat serbe dhe ruse në gjuhën serbe vazhduan të promovojnë narrativën se Lista Serbe është përfaqësuesja e vetme legjitime e serbëve në Kosovë.

Ndërkaq rezultatet e partisë së Rashiq, ata i prezantuan si “vjedhje të vullnetit zgjedhor të serbëve” dhe si vazhdim i përpjekjeve të Kurtit “për të dobësuar përfaqësimin politik të serbëve në Kosovë”.

Në raportimet e Sputnik Serbia dhe RT Balkan , vijoi narrativa se institucionet e Kosovës po përpiqen t’ia marrin Listë Serbe një nga dhjetë mandatet e siguruara për serbët në Kuvendin e Kosovës, dhe t’ia kalonin atë partisë së Nenad Rashiqit.

Edhe zyrtarë të Qeverisë së Serbisë e kanë shtyrë të njëjtën narrativë dezinformuese , madje duke konstatuar pa asnjë bazë faktike se synimi kryesor është dëbimi i serbëve. Ndërkohë, , dy ditë pas zgjedhjeve më , Rashiq ka denoncuar Listën Serbe se kanë kërcënuar serbët lokal me pushime nga puna.

Rashiq pretendon se 20 persona kanë humbur tashmë vendet e punës në sistemin paralel për shkak të “simpatisë” ndaj partisë së Rashiq. “Kemi pasë një shantazh në një masë ekstreme të cilën e kemi pa edhe në të kaluarën por gjithashtu tash edhe këto ditë, ose këto javë e kemi pasë në një nivel edhe më të lart”- pati deklaruar ai.

Rashiq gjatë konferencës tha se djali i tij është duke u marrë në pyetje nga disa persona që sipas tij prezantohen si pjesë e Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit. “Djali im që është student në këtë moment është ndaluar dy orë nga personat që prezantojnë veten sikur që janë nga BIA, ku e marrin në pyetje sa i përket zgjedhjeve.

Kjo nuk është hera e parë, por kësaj radhe mendoj që një radikalizëm i ashpër që po vazhdon ndaj bashkëqytetarëve tanë, i ka tejkaluar të gjithë nivelet e logjikës dhe mendjes” – ka shtuar ai. Më tej, Rashiq u përgjigj edhe akuzave të Listës Serbe, pasi këta të fundit e akuzuan për “inxhinierim të zgjedhjeve”.

“Në konferencën që kishin Lista Serbe ku treguan se ekziston nga ana jonë kinse një inxhinerim zgjedhor, përkundrazi krejt veprimet që i kanë bë ata janë në një sistem me një inxhinerim të mëtutjeshëm të serbëve në Kosovë.

Jam i sigurt që kjo ka me mbetë edhe në libra shkencorë sa i përket trajtimit të cilit një sistem diktatorial po vepron ndaj qytetarëve të vet në mënyrë kaq brutale”- deklaroi ai. Ministri në detyrë më tej tha se sa i përket rezultatit zgjedhor, partia që ai drejton ka pasur një rritje prej 20% dhe se rritjen më të madhe e kanë pasur në veri të Kosovës.

“Sa i përket rezultatit kemi pasë një rritje prej 20% dhe kjo është hera e tretë, duke u nisur nga shkurti i vitit të kaluar, kemi pas rritje në çdo territor, ku rritjen më të madhe e kemi pasë në zonën e veriut të Kosovës, ku kemi pasë rritje prej 40% që për ne është shumë inkurajuese që pavarësisht sfidave dhe problemeve, njerëzit janë të vetëdijshëm që ne jemi një opsion i moderuar politikisht dhe po mendojmë më të mirën për të gjithë qytetarët e Kosovës”- Në zgjedhjet e 7 qershorit, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja , Lista Serbe ka marrë 43,809 vota, ndërsa Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka marrë 5,437 vota.

Me këtë rast, Lista Serbe ka siguruar 9 mandate në Kuvend, kurse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë një mandat. Ky material është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar; megjithatë, pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Burimi: Kallxo