Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se janë ekzekutuar mjetet për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit e klasave nga e para deri në të nëntën. Sipas Ministrisë, lista përfundimtare e prindërve përfitues i është dorëzuar Ministrisë së Financave për transferimin e mjeteve në llogaritë e tyre bankare.
“Procesi i aplikimit të prindërve dhe kujdestarëve ligjorë ka nisur më 27 korrik dhe është zhvilluar përmes platformës eKosova. Çdo aplikim i dorëzuar është verifikuar nga koordinatorët e autorizuar në secilën shkollë”, thuhet në njoftim.
MASh-i ka bërë të ditur se ka miratuar edhe Katalogun zyrtar të Teksteve Shkollore, pas negociatave me shtëpitë botuese për përcaktimin e çmimeve përfundimtare. “Çmimet e përcaktuara në këtë katalog janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha pikat e shitjes së teksteve shkollore”, ka theksuar Ministria.
Vlera e subvencionimit për një nxënës për tekstet shkollore në gjuhën shqipe është: Klasat 1 dhe 2 – 60 euro Klasa 3 – 65 euro Klasa 4 – 70 euro Klasa 5 – 80 euro Klasat 6 dhe 7 – 90 euro Klasat 8 dhe 9 – 100 euro Katalogu me çmimet përfundimtare të teksteve është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
