Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka pezulluar përkohësisht aplikimet për viza imigruese në mbarë botën, ndërsa Departamenti i Shtetit ka nisur një proces të ri trajnimi dhe shqyrtimi për të identifikuar aplikantët që mund të përfundojnë duke u mbështetur në përfitimet publike në SHBA.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit ka konfirmuar se nisma është duke u zbatuar në ambasadat dhe konsullatat amerikane në të gjithë botën. Sipas Financial Times , aplikantëve që kishin intervista të planifikuara u janë dërguar email-e ku janë njoftuar se takimet e tyre do të shtyhen dhe se do të marrin njoftim për një datë dhe orë të re.
Departamenti i Shtetit ka thënë se qëllimi është që zyrtarët konsullorë të jenë në gjendje të vlerësojnë në mënyrë më të plotë dhe të njëtrajtshme aplikantët për viza, veçanërisht nëse ata mund të bëhen të varur nga përfitimet publike në SHBA. Sipas zyrtarëve amerikanë, masa synon të sigurojë që aplikantët për viza të mos përfundojnë duke u mbështetur në përfitimet publike.
Pezullimi vjen në kuadër të një serie masash të administratës Trump për forcimin e kontrolleve ndaj imigracionit, përfshirë edhe imigracionin e ligjshëm. Aplikantët për viza janë përballur me kërkesa dhe kontrolle shtesë, përfshirë shqyrtimin e historikut të tyre në rrjetet sociale dhe tarifa të reja për disa kategori aplikimesh.
Këtë javë, administrata Trump ka njoftuar gjithashtu planet për anulimin e vizave të azilkërkuesve që fillimisht kanë hyrë në SHBA për turizëm ose qëllime biznesi. Sipas Associated Press, masa mund të prekë deri në 200 mijë persona dhe, nëse zbatohet, do të ishte anulimi masiv më i madh i vizave në historinë e SHBA-së.
Sipas ekspertëve të ligjit të imigracionit, pezullimi i fundit mund të krijojë pengesa të menjëhershme për personat që kanë ndjekur procedurat ligjore dhe kanë planifikuar intervistat e tyre.
Brian Simmons, avokat në firmën e ligjit të imigracionit Fragomen në Uashington, ka thënë për Financial Times se shumë prej aplikantëve të prekur mund të kenë “shpenzuar mijëra dollarë dhe të kenë ndërprerë jetën e tyre për të marrë pjesë në intervistat e planifikuara, vetëm që takimet t’u anulohen në minutën e fundit”.
Ende nuk është bërë e ditur se kur do të rikthehen intervistat e pezulluara. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
