Aleanca ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale lidhur me 17 vendime të marra në mbledhjen e Qeverisë në detyrë, të cilat kanë të bëjnë me emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë. Pas dorëzimit të kallëzimit penal, deputeti i këtij subjekti politik, Besnik Tahiri, ka thënë se vendimet e tilla janë të ndaluara me Ligjin për Qeverinë.
Sipas tij, edhe juristët që e përfaqësojnë këtë lëndë vlerësojnë se këto vendime bien ndesh me ligjin. “Kemi dorëzuar në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal për Qeverinë në detyrë, respektivisht për kryeministrin në detyrë për shkak se me datën 12 gusht të këtij viti ata kanë marrë disa vendime të cilat në vlerësimin tonë dhe juristëve tanë që e përfaqësojnë këtë lëndë bie ndesh me ligjin dhe të gjitha rregulloret që mund t’i ketë një qeveri.
E ka të ndaluar me ligjin për Qeverinë të marrë vendime që janë të ndërlidhura me 17 vendime që janë marrë në mbledhjen e Qeverisë, për emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërore në agjencione qeveritare dhe në një rast në përzgjedhjen e një sekretari të përhershëm”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka shtuar se Qeveria në detyrë nuk ka legjitimitet të plotë për të ndërmarrë veprime të tilla. “Qeveria në detyrë nuk guxon në asnjë moment të shkelë ligjin që vetë e ka miratuar, ligjin për qeveri, në ligj të cilin kemi punuar edhe ne me ta.
Për shkak se është ekskluzivisht e thënë qartë se kjo qeveri i ka kompetencat dhe detyrimet e kufizuara dhe rrjedhimisht me marrjen e këtyre vendimeve e kanë shkelur detyrën zyrtare dhe pozitën e tyre si ushtrues të detyrës”, tha Tahiri. Ai shtoi se në kallëzimin penal është theksuar edhe çështja e ushtrimit të funksioneve ekzekutive nga deputetët që janë betuar në Kuvend.
“Po ashtu, ajo që theksojmë si Aleancë në këtë kallëzim penal është se një deputet i cili betohet në Kuvend si deputet, ai apo ajo nuk mund të ushtrojë detyrë tjetër ekzekutive për shkak se kjo është e ndaluar me ligj.
Nuk mundesh me shkuar paradite në seancë me u betuar si deputet, me votuar si deputet dhe pastaj pasdite me vazhduar në qeveri dhe me ushtruar detyra ekzekutive si ministër në detyrë, respektivisht kryeministër.
Kjo është shkelje flagrante e ligjit, kjo po ashtu është e sanksionuar edhe me një vendim tjetër të Gjykatës Supreme, i cili vendim është po ashtu i elaboruar në kallëzimin tonë penal”, tha ai. “Kapja e shtetit duhet të ndalet. Abuzimi me funksionin publik duhet të ndalet.
Adresa e vetme e jona, e Aleancës, e qytetarëve të Kosovës janë institucionet, respektivisht organet e ligjit, Prokuroria dhe Gjykata. Presim që këto institucione të përgjigjen ndaj kërkesës sonë”, përfundoi Tahiri.
Ndër vendimet e miratuara më 12 gusht nga Qeveria në detyrë është edhe ai për emërimin e Komisionit të Pranimit për pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, si dhe për pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë.
Qeveria ka miratuar gjithashtu komisione për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorit ekzekutiv në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë, në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, si dhe për pozitën e drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
