Prodhuesi britanik i makinave luksoze Aston Martin ka vendosur të shesë kontrollin e shumicës së të drejtave të markës së saj, në një përpjekje për të përballuar presionin financiar.
Kompania ka rënë dakord t’i kalojë 50.1% të të drejtave të markës për produktet jo-automobilistike grupit amerikan Authentic Brands, si pjesë e një pakete financimi prej 550 milionë paundësh (rreth 738 milionë dollarë) të udhëhequr nga HPS Investment Partners.
Marrëveshja e ndan emrin Aston Martin në dy pjesë: njëra do të mbetet për makinat dhe aktivitetet në Formula 1, ndërsa tjetra do të përfshijë produktet e modës, aksesorët, artikujt promocionalë dhe licencimet e tjera. Aston Martin, e njohur për makinat sportive luksoze dhe lidhjen me markën James Bond, po përballet prej kohësh me sfida financiare dhe kosto të larta zhvillimi.
Kompania shpreson se kjo marrëveshje do t’i sigurojë kapitalin e nevojshëm për të vazhduar aktivitetin.
