Shqiptari i Kosovës për 11 milionë euro në klubin rus, media serbe

0%

Futbollisti Mirlind Daku është në qendër të vëmendjes, ndërsa disa media serbe i sulen. Media serbe “Kurir” i turret Dakut me titull: “Provokatori shqiptar që ofendoi serbët realizoi transferimin e karrierës, Spartaku pagoi 11 milionë euro, tifozët të zemëruar – nuk e duan!”.

“Një nga transferimet më të mëdha të kësaj vere në Rusi është zyrtarizuar – reprezentuesi i Shqipërisë, Mirlind Daku (28), është futbollisti më i ri i Spartakut të Moskës. Sulmuesi ka nënshkruar kontratë trevjeçare, ndërsa Rubini i Kazanit do të përfitojë 11 milionë euro si dëmshpërblim për transferimin. Transferimi ka shkaktuar reagime të forta te tifozët e Spartakut.

Sapo u përhapën lajmet se Daku mund të transferohej në Moskë, një pjesë e tifozëve protestuan publikisht duke deklaruar se nuk e dëshirojnë reprezentuesin shqiptar në ekipin e tyre. Në disa pjesë të Moskës u shfaqën edhe grafite kundër Dakut”, shkruan më tej. Sipas artikullit, arsyeja e këtyre reagimeve lidhet me ngjarjet gjatë Kampionatit Evropian 2024 në Gjermani.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pas ndeshjes mes Shqipërisë dhe Kroacisë, Daku u vu në qendër të vëmendjes pasi, së bashku me tifozët, brohoriti parulla ndaj Serbisë. “Më vonë, polemika të tjera u nxitën edhe nga fotografitë ku shihet tatuazhi i tij kushtuar Agim Ramadanit, si dhe nga fotografi ku pozon me flamurin e UÇK-së.

Pavarësisht presionit nga tifozët, drejtuesit e Spartakut nuk hoqën dorë nga transferimi dhe sot marrëveshja u zyrtarizua”, shkarravit media serbe. Daku është bërë kështu shqiptari i parë në historinë e Spartakut dhe një nga përforcimet më të shtrenjta të klubit nga Moska.

Sipas mediave ruse, ai do të përfitojë 3,75 milionë euro neto në sezon, si dhe një bonus nënshkrimi prej 1,5 milionë eurosh. Në total, për tre vitet e kontratës, ai pritet të fitojë rreth 12,75 milionë euro. Sulmuesi, i lindur në Kosovë, afirmimin e tij si futbollist e arriti gjatë huazimit te Ballkani, ku shënoi 35 gola në 42 ndeshje.

Më pas shkëlqeu te Mura me 24 gola në 49 ndeshje, ndërsa më vonë Osijeku e shiti te Rubini i Kazanit për 1,2 milionë euro.

Burimi: Bota Sot