U nisën nga Kosova drejt Gjermanisë, rruga përfundoi në tragjedi:

0%

Një familje nga Komogllava e Ferizajt është goditur nga një tragjedi e rëndë, pasi tre anëtarë të saj humbën jetën në një vetaksident në Gjermani. Viktimat janë Tahir Aliu, 61 vjeç, djali i tij Gentian Aliu, 34 vjeç, si dhe nipi i Tahirit, Laurent Aliu, vetëm 16 vjeç. Laurenti ishte djali i Bardhyl Aliut.

Familjarët kanë konfirmuar se tre mërgimtarët ishin nisur nga Kosova drejt Gjermanisë të mërkurën, më 5 gusht, rreth orës . Ata po udhëtonin të vetëm në automjet, ndërsa aksidenti tragjik ndodhi në orët e mëngjesit të së enjtes, më 6 gusht. Sipas informacioneve të familjes, bëhet fjalë për një vetaksident dhe në automjet nuk kishte persona të tjerë përveç tri viktimave.

Ngjarja ka ndodhur në autostradën A3, pranë Nittendorfit, në rrethin e Regensburgut, në Bavari. Mediumi publik gjerman BR24 raporton se automjeti po lëvizte në drejtim të Nurembergut kur, për arsye që ende nuk janë sqaruar, doli nga rruga. Vetura rrëshqiti poshtë një argjinature dhe ra mbi shinat e linjës hekurudhore që kalon nën autostradë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Më pas automjeti përfundoi në hapësirën e gjelbër pranë binarëve. Të tre personat që ndodheshin në veturë pësuan lëndime të rënda dhe humbën jetën në vendin e aksidentit. Operacioni për nxjerrjen e viktimave dhe largimin e automjetit ishte jashtëzakonisht i vështirë.

Ekipet e emergjencës nuk arritën t’i nxirrnin menjëherë tre burrat nga vetura, ndërsa për tërheqjen e automjetit u përdor edhe një vinç. Aksidenti shkaktoi dëmtimin e linjës ajrore të furnizimit me energji elektrike të hekurudhës. Për pasojë, një tren me rreth 80 udhëtarë mbeti pa energji dhe u ndal në afërsi të vendit të ngjarjes.

Pasagjerët u evakuuan dhe u transferuan në një tren tjetër që u vendos në binarin paralel. Treni i bllokuar u tërhoq më pas me ndihmën e një lokomotive me naftë. Për shkak të aksidentit, për disa orë u mbyll autostrada A3 në drejtim të Nurembergut, si dhe linja hekurudhore Regensburg–Nuremberg.

Autostrada u rihap rreth mesditës, ndërsa në transportin hekurudhor u organizuan autobusë zëvendësues. Policia gjermane ka bërë të ditur se, sipas të dhënave paraprake, automjeti ishte i vetmi i përfshirë në aksident. Në momentin kur vetura ra mbi binarë, fatmirësisht nuk po kalonte asnjë tren. Shkaqet e sakta të daljes së automjetit nga rruga vazhdojnë të mbeten të panjohura.

Me urdhër të Prokurorisë së Regensburgut është angazhuar një ekspert i aksidenteve, i cili do të analizojë vendin e ngjarjes dhe do të ndihmojë në rindërtimin e rrethanave që çuan në tragjedi. Lajmi për vdekjen e Tahir, Gentian dhe Laurent Aliut ka shkaktuar pikëllim të madh te familjarët, të afërmit dhe banorët e Komogllavës.

Bashkëvendësi i tyre, Qerim Rexhepi, u ka shprehur ngushëllime familjes Aliu, banorëve të lagjes Nuhaj dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo humbje e rëndë. Autoritetet gjermane fillimisht kishin konfirmuar vdekjen e tre personave, pa publikuar identitetin dhe shtetësinë e tyre. Identiteti i viktimave u bë i ditur më pas nga familjarët dhe bashkëvendësit e tyre.

Burimi: Bota Sot