Trajtimi i një rasti të rëndë të malaries në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare ka alarmuar Institutin e Shëndetësisë Publike, i cili po bën thirrje për kujdes dhe masa parandaluese nga qytetarët që udhëtojnë jashtë vendit.
Pacientja, një shtetase e huaj që po qëndronte në vendin tonë, u gjet nga të afërmit e saj në gjendje të rëndë shëndetësore, pas një udhëtimi që kishte realizuar në një vend afrikan. Gjendja shëndetësore e saj tashmë është e qëndrueshme dhe parametrat e saj vitalë po kthehen në normë pas trajtimit intensiv në Klinikën Infektive.
Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare po përballet me një nga rastet më serioze të malaries në vitet e fundit. Një paciente u pranua në gjendje kritike dhe pa vetëdije, duke alarmuar mjekët për rrezikun e lartë shëndetësor.
“Pacientja është hospitalizuar në mjekimin intensiv, pasi gjendja e saj ka qenë jashtëzakonisht e rëndë”, tha Vera Berisha Ndrejaj, drejtoreshë e Klinikës Infektive. Ndonëse Klinika Infektive ka trajtuar edhe më parë raste me malarie, ky rast, sipas mjekëve, ka qenë dukshëm më kompleks. Shkak për këtë u bënë komplikimet e rënda neurologjike që pësoi pacienti.
Megjithatë, falë reagimit të shpejtë të stafit mjekësor, gjendja e saj tani është stabilizuar. “Ne kemi pasur edhe në të kaluarën raste të malaries që i kemi trajtuar në Klinikën Infektive, por rasti i fundit ka qenë në formë shumë më të rëndë, me prekje të sistemit nervor dhe sigurisht që ka kërkuar trajtim më intensiv.
Edhe rastet e tjera kanë qenë shqetësuese, por kanë qenë pa prekje të sistemit nervor” , pohoi Ndrejaj. Ky rast ka alarmuar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili u bën thirrje qytetarëve që planifikojnë udhëtime në vendet ku malaria është ende e përhapur, të marrin masa të rreptaparandaluese. “Ne kërkojmë nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm.
Ata që udhëtojnë në vendet afrikane të konsultohen fillimisht me doktorin e tyre”, theksoi Faik Hoti nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës. Klinika Infektive bën të ditur se gjendja e pacientit tashmë është stabile dhe rikuperimi po vazhdon nën kujdesin e mjekëve.
Rasti shërben si kujtesë se sëmundjet tropikale mbeten një rrezik real për udhëtarët, ndërsa informimi dhe masat parandaluese janë mbrojtja më e mirë ndaj tyre.
