Një mosmarrëveshje pronësore mes familjarëve në fshatin Xërxe të Rahovecit ka çuar në arrestimin e një 44-vjeçari, ndërsa gjatë hetimeve Policia ka sekuestruar edhe dy armë zjarri në pronësi të tij. Sinjali mëson se i dyshuari është Përparim Kryeziu , 44 vjeçar, ndërsa viktima të rastit janë Lulzim Kryeziu, 39 vjeçar dhe Binak Kryeziu, 74 vjeçar.
Sipas burimeve, Policia ishte njoftuar mbrëmjen e 5 gushtit, rreth orës , për një incident që kishte ndodhur mes familjarëve për shkak të një kontesti pronësor. Fillimisht, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, ndaj Përparim Kryeziut u iniciua procedurë për veprën penale “Kanosje”, ndërsa atij iu caktua masa e ndalimit për 48 orë.
Gjatë zhvillimit të hetimeve, Policia siguroi informacione se i dyshuari posedonte armë zjarri. Pas marrjes së autorizimeve të nevojshme dhe bastisjes së pronës së tij, u sekuestruan: një pistoletë me leje valide, kalibër 9×19 mm, së bashku me dy karikatorë dhe 30 fishekë; një pistoletë e modifikuar, e përshtatur nga një pistoletë me gaz, pa numër serik, si dhe 20 fishekë të kalibrit 9 mm.
Pas sekuestrimit të armëve, ndaj të dyshuarit iu shtua edhe dyshimi për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Me urdhër të Prokurores së Shtetit, rasti është proceduar në procedurë të shpejtë, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
