Shpërndaje në: Komuna e Podujevës ka njoftuar se është shpallur gjendje emergjente për shkak të gjendjes së rënduar nga mbeturinat si pasojë e mospastrimit të tyre. Sipas njoftimit vendimi për gjendje emergjente vlen deri më 5 nëntor të këtij viti.
Kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, i cili është edhe kryesues i Shtabit Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka thënë se janë bërë disa muaj që menaxhimi me mbeturina në qytet e fshatra është rënduar ndërsa ka shtuar se bëhet fjalë për keqmenaxhim nga menaxhmenti i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”.
Sipas tij, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” për shkak të pamundësisë për të ofruar shërbime në pjesën e përgjegjësisë së saj, më herët ka kërkuar që të lirohet nga shërbimi në fshatra dhe kjo përgjegjësi ka kaluar të Kompania private “Natyra”. “Por, tash po del që ka probleme për të ofruar këtë shërbim edhe në qytet.
Ka raste që operon me një kamion, e ka ditë që nuk ofron shërbim fare. Për shkak të kësaj gjendje që është krijuar, ku tash i kemi edhe mërgimtarët këtu dhe vëllimi i mbeturinave është rritur dhe duke pasur parasysh shëndetin e qytetarëve e kam marr një rekomandim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike që të shpallim gjendjen emergjente”, citohet të ketë thënë Bulliqi gjatë mbledhjes.
Bulliqi ka thënë se në vazhdimësi e ka ndihmuar KRM “Pastrimi” edhe me subvencione, në mënyrë që t’ia lehtësojë operimin dhe funksionimin normal, por pa sukses.
Edhe Arbëri 19 nën 2025 Në Shtime u shpall gjendje emergjente shkaku i përmbytjeve, gjendje e rënduar u raportua edhe në disa komuna “Vullneti jonë është që ta ndihmojmë këtë Ndërmarrje, por po shihet që ka keqmenaxhim nga menaxhmenti i kësaj Ndërmarrjeje në qendër.
Për shkak të kësaj gjendjeje të rënduar, ne duhet të gjejmë një zgjidhje të shpejt për mbledhjen e mbeturinave në qytet”, ka thënë mes tjerash Bulliqi.
Bazuar në vendimin e kryetarit të Komunës, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim obligohet të hartojë dhe zbatojë planin operacional emergjent për organizimin dhe koordinimin e të gjitha masave emergjente për grumbullimin, transportimin dhe largimin e mbeturinave si dhe inicimin e procedurës së përshpejtuar të prokurimit për sigurimin e 3 kamionëve me qira për bartjen e mbeturinave, duke përfshirë edhe 3 vozitës, të cilët do të operojnë në kuadër të KRM “Pastrimi”.
