Besa zyrtarizon tre përforcimet e fundit

0%

Besa, e drejtuar nga trajneri Gugash Magani, është në kulmin e përgatitjeve verore, me synimin që verdhezinjtë të jenë sa më të gatshëm për nisjen e sezonit të ri. Kavajasit kanë investuar ndjeshëm gjatë kësaj merkatoje për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe pretendente, me objektivin e madh që, pas 13 vitesh në Kategorinë e Parë, të rikthehen në elitën e futbollit shqiptar.

Për të realizuar këtë synim, drejtuesit kanë afruar disa futbollistë cilësorë, ndërsa merkatoja mbetet ende e hapur. Së fundmi, Besa ka zyrtarizuar mesfushorin Enea Topi, i cili vjen nga Apolonia dhe ka firmosur një kontratë katërvjeçare me klubin kavajas.

Emri i 22-vjeçarit fierak qarkullonte prej ditësh si përforcim i verdhezinjve, por tashmë transferimi është bërë edhe zyrtar përmes prezantimit nga vetë klubi. Topi konsiderohet një investim afatgjatë, pasi drejtuesit besojnë se ai do të jetë një nga shtyllat e mesfushës për vitet në vijim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kavajasit kanë zyrtarizuar dje edhe afrimin e dy adoloshentëve nga Azerbajxhani, mesfushorin 19-vjeçar Kamil Sadikov, si dhe sulmueisn 18-vjeçar Elnur abdullajev. Megjithatë, Besa nuk e ka mbyllur ende merkaton. Edhe pse në repartin ofensiv janë afruar disa alternativa cilësore, drejtuesit kërkojnë të rrisin më tej konkurrencën.

Përforcimi i radhës pritet të jetë një sulmues brazilian, i cili vjen nga “baza” e klubit në Kosovë, Trepça ’89. Bëhet fjalë për qendërsulmuesin 23-vjeçar Gabriel Sylas, i cili pritet t’i bashkohet shumë shpejt skuadrës së Gugash Maganit. Gjatë karrierës së tij, braziliani ka qenë pjesë e klubeve si ABC FC, Palmeira-RN, Fursan Hispania, Al Dhaid dhe së fundmi Trepça ’89.

Me finalizimin e kësaj goditjeje, konkurrenca në repartin sulmues të Besës do të arrijë në nivele shumë të larta. Aktualisht, në dispozicion të trajnerit Magani janë edhe Fatmir Prengaj dhe Manfredas Ruzgis, të afruar gjatë kësaj vere, pa llogaritur futbollistët e rinj të dalë nga akademia e klubit.

Kjo i jep stafit teknik më shumë alternativa dhe rrit ndjeshëm rivalitetin për një vend në formacionin titullar, teksa Besa synon të ndërtojë një skuadër të denjë për rikthimin në Superiore.

Burimi: Bota Sot