Komuna e Dragashit ka reaguar lidhur me vështirësitë e krijuara ditëve të fundit me furnizimin me ujë të pijshëm në qytezën e Dragashit, duke thënë se situata është ndikuar nga rritja e konsumit, temperaturat e larta dhe rënia e prurjeve në lumin Radeshë.
Në një komunikatë për opinionin, Komuna ka thënë se i mirëkupton shqetësimet e qytetarëve dhe bizneseve, ndërsa ka bërë të ditur se kryetari Bexhet Xheladini ka angazhuar nënkryetarin Vetim Ramadani për koordinimin e veprimeve për menaxhimin e situatës.
“Dëshirojmë të sqarojmë se kjo situatë nuk është shkaktuar me qëllim dhe as si pasojë e neglizhencës institucionale”, thuhet në komunikatën e Komunës.
Sipas saj, përkeqësimi i furnizimit është rezultat i “rritjes së ndjeshme të konsumit gjatë ditëve me temperatura të larta, shtimit të numrit të bashkatdhetarëve që po qëndrojnë në vendlindje gjatë sezonit veror, si dhe zvogëlimit të prurjeve të ujit në lumin Radeshë për shkak të mungesës së reshjeve dhe thatësisë së zgjatur”.
Komuna ka sqaruar se përgjegjëse për menaxhimin dhe furnizimin me ujë të pijshëm në qytezën e Dragashit është KRU “Hidroregjioni Jugor”, përkatësisht Njësia Operative në Dragash. Po ashtu, Komuna ka mohuar pretendimet se ka ndërhyrë në sasinë e ujit që merret nga lumi Radeshë për fabrikën e trajtimit të ujit.
“Komuna e Dragashit në asnjë moment nuk e ka zvogëluar sasinë e ujit të marrë nga lumi Radeshë për Koagulatorin (Fabrikën e Trajtimit të Ujit) në Dragash. Prandaj, çdo pretendim se Komuna ka ndërhyrë në uljen e prurjeve të ujit është i pavërtetë dhe nuk mbështetet në fakte”, thuhet në komunikatë.
Komuna ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me KRU “Hidroregjioni Jugor”, do të ndërmarrë masa për stabilizimin e furnizimit me ujë. Ndërkohë, qytetarëve u është bërë thirrje që ta përdorin ujin në mënyrë të kujdesshme dhe të shmangin shpenzimet e panevojshme, përfshirë larjen e automjeteve, rrugëve dhe oborreve, mbushjen e pishinave dhe ujitjen e sipërfaqeve me ujë të pijshëm.
Thirrje për përdorim racional të ujit u është bërë edhe banorëve të fshatrave që furnizohen nga ujësjellësi kryesor. “Për shkak të thatësisë dhe rënies së ndjeshme të prurjeve në lumin Radeshë, sasia e ujit që arrin në fabrikën e trajtimit është zvogëluar dukshëm, gjë që ndikon drejtpërdrejt në kapacitetin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe pritet të vazhdojë të ndikojë edhe në ditët në vijim”, ka njoftuar Komuna.
Sa u përket fshatrave Rapçë dhe Kërstec, Komuna ka bërë të ditur se projekti Lot 3 është në fazën përfundimtare dhe se, duke filluar nga java e ardhshme, në këto dy fshatra pritet të vihet në funksion furnizimi me ujë për përdorim. Komuna e Dragashit ka thënë se do t’i mbajë qytetarët të informuar për zhvillimet dhe masat që do të ndërmerren lidhur me situatën e furnizimit me ujë.
