Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 41 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një traget indonezian u përfshi nga flakët gjatë lundrimit të dielën. Sipas Agjencisë Kombëtare të Kërkimit dhe Shpëtimit të Indonezisë, disa pasagjerë u detyruan të hidheshin në det për t’i shpëtuar zjarrit. Ata u nxorën nga uji nga një anije që ndodhej pranë zonës së incidentit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se 225 persona që ndodheshin në bordin e tragetit janë shpëtuar, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë për gjetjen e të zhdukurve. Katër anije të tjera ishin vendosur në gatishmëri pranë tragetit, por nuk mundën t’i afroheshin për shkak të rrezikut nga materialet e ndezshme në bord.
Kompania që operonte tragetin njoftoi se kishte marrë një telefonatë nga kapiteni, i cili raportoi zjarrin derisa anija po udhëtonte nga Surabaya, në Java Lindore, drejt Makassarit, në Sulawesi Jugor. Pas raportimit fillestar, kontakti me kapitenin është ndërprerë, ndërsa autoritetet kanë nisur një operacion më të gjerë shpëtimi nga Surabaya. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
