Shumë zhurmë…. apo fillimi i një historie që kërkon të gjithë të

0%

“Shumë zhurmë… zhurmë… shumë… shumë zhurmë…” Këto vargje të një prej këngëve të dikurshme të Edi Ramës me grupin “West Side Family” tingëllojnë sot si një metaforë e realitetit politik shqiptar. Një metaforë që ngre pyetjen nëse jemi përballë një debati të përkohshëm mediatik, apo përballë fillimit të zbardhjes së një historie shumë më të madhe.

Diskutimi publik është përqendruar te një kështjellë në Francë, për të cilën është raportuar nga autoritet ligjzbatuese franceze dhe interpoli se është blerë për rreth 2.6 milionë euro nga Ermal Beqiraj. Në ndërkohë, janë ngritur dyshime dhe pikëpyetje publike mbi vlerën reale të kësaj pasurie, me pretendime se ajo mund të jetë ndjeshëm më e lartë.

Këto pretendime mbeten objekt verifikimi dhe u takon institucioneve ligjzbatuese kompetente të sqarojnë çdo paqartësi. Por, nëse ndalemi vetëm te kjo pasuri, rrezikojmë të humbasim panoramën më të gjerë. Problemi nuk është një pronë, por modeli.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nëse gjatë tri dekadave të fundit Shqipëria ka njohur një përqendrim të jashtëzakonshëm pasurie në duart e një numri të kufizuar individësh të lidhur me pushtetin politik ose ekonomik, atëherë pyetja legjitime nuk është vetëm se kush i zotëron dhe çfarë zotëron, por si janë krijuar këto pasuri.

A janë rezultat i sipërmarrjes së ndershme dhe konkurrencës së lirë, apo produkt i favoreve politike, korrupsionit, kapjes së institucioneve dhe shpërdorimit të burimeve të të mirave publike? Kjo është pyetja që shqetëson mbarë shoqërinë shqiptare sot.

Ndërsa një pakicë ekspozon një standard jetese gjithnjë e më luksoze, shumica e qytetarëve vazhdon të përballet me paga të ulëta, pensione që shpesh nuk mbulojnë nevojat bazë dhe një emigracion që nuk ndalet. Ky kontrast nuk është vetëm ekonomik, por edhe moral. Ai ushqen bindjen se ligji nuk vepron njësoj për të gjithë dhe se mundësitë nuk shpërndahen mbi bazën e meritës.

Në një shtet demokratik, dyshimet nuk janë prova, por as dyshimet e arsyeshme nuk mund të shpërfillen. Pikërisht për këtë arsye ekzistojnë institucionet e drejtësisë. Roli i tyre nuk është të ushqejnë perceptime, por të zbulojnë fakte penale, dhe as të ndjekin zhurmën mediatike, por provat.

Në këtë kontekst, pritshmëritë ndaj SPAK-ut dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese mbeten të larta. Çdo hetim duhet të jetë i pavarur, profesional dhe i paanshëm. Nëse ka shkelje të ligjit, ato duhet të dokumentohen dhe të ndëshkohen. Nëse nuk ka, atëherë edhe kjo duhet të bëhet e qartë për opinionin publik.

Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi paragjykime, por as të pengohet nga presionet politike. Historia e tranzicionit shqiptar ka lënë pas shumë plagë: privatizime të debatueshme, pasurime të shpejta, mungesë transparence dhe një kulturë mosndëshkueshmërie që ka dëmtuar besimin e qytetarëve te shteti.

Pikërisht për këtë arsye, çdo rast që ngre dyshime për pasuri të pajustifikuara nuk duhet parë si një episod i izoluar, por si pjesë e nevojës për një llogaridhënie më të gjerë. Në fund të fundit, qytetarët nuk kërkojnë spektakël, por përgjigje bazuar mbi transparencën. Ata nuk kërkojnë zhurmë, por drejtësi, dhe as deklarata politike, jo dhe jo.

E, ndërsa pensionistët vazhdojnë të numërojnë çdo qindarkë për të përballuar jetesën, ndërsa të rinjtë vazhdojnë të largohen në kërkim të një të ardhmeje më të mirë dhe ndërsa familjet shqiptare përballen çdo ditë me koston në rritje të jetesës, një pyetje mbetet pezull mbi ndërgjegjen publike: A do të arrijë drejtësia të zbardhë çdo dyshim dhe të vendosë përgjegjësi aty ku e kërkon ligji, apo kjo histori do të mbetet edhe një kapitull tjetër i një tranzicioni të zgjatur, ku zhurma mbulon të vërtetën?

Demokracia nuk matet me numrin e deklaratave politike, por nga aftësia e institucioneve të saj për të garantuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se çdo pasuri, pavarësisht kujt i përket, mund t’i nënshtrohet transparencës dhe llogaridhënies. Nëse kjo ndodh, nuk do të kemi më vetëm “shumë zhurmë”, por në radhë të parë do të kemi drejtësi.

Ky do të ishte lajmi më i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Tiranë, e diel – 2 gusht, 2026

Burimi: Bota Sot