Shqipëria hyri në sezonin veror me më shumë vizitorë sesa prona të reja për t’i akomoduar, të paktën në segmentin e apartamenteve me qira afatshkurtra. Në qershor, kërkesa për qira afatshkurtra u rrit me një ritëm më shumë se dy herë më të shpejtë se oferta, duke ndikuar njëkohësisht në rritjen e normës së zënies (prenotimeve) dhe të çmimeve.
Sipas të dhënave të AirDNA, në qershor 2026 u regjistruan 284 329 net-qëndrime në pronat e listuara në platformat e qirave ditore, ose 22,6% më shumë krahasuar me një vit më parë. Në të njëjtën periudhë, numri i pronave të disponueshme u rrit në 31 655, nga 28 972 që ishin në qershor të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 9,26%.
Me kërkesën që po ecën dukshëm më shpejt se oferta, norma e zënies apo e prenotimeve u rrit në 58,89%, nga 55,47% një vit më parë. Kjo rritje prej 3,42 pikësh përqindjeje konfirmon edhe një herë se tregu vazhdon të ketë kërkesë të lartë për këtë segment akomodimi, duke përthithur menjëherë kapacitetet e disponueshme.
Kjo lidhet veçanërisht me profilin e turistit individual që ka vizituar Shqipërinë gjatë tre viteve të fundit, ku apartamentet me qira ditore po fitojnë gjithnjë e më shumë terren përballë strukturave tradicionale hoteliere. Edhe pronarët e këtyre njësive me qira ditore kanë përfituar nga ritmi i sezonit.
Tarifa mesatare ditore arriti në 65,85 euro për natë, nga 62,43 euro në qershorin e vitit të kaluar, duke shënuar një rritje vjetore prej 5,48%. Pamja e 12 muajve të fundit është po aq pozitive. Në periudhën e mbyllur në qershor, numri mesatar i listimeve arriti në 28 074, ose 15,34% më shumë se një vit më parë.
Netët e rezervuara u rritën me 17,93%, duke arritur në 2,51 milionë, ndërsa të ardhurat e vlerësuara nga tregu arritën në 144,1 milionë euro, me një rritje prej 20,05%. Tarifa mesatare për periudhën 12-mujore u rrit në 57,5 euro për natë, nga 56,5 euro më parë, ndërsa norma mesatare e zënies u përmirësua lehtë në 54,49%, nga 54,1%.
Shqipëria ruajti gjithashtu ritmin më të shpejtë të zgjerimit të ofertës në grupin e vendeve të rajonit të përfshira në të dhënat e AirDNA. Rritja prej 15,34% ishte më e lartë se në Malin e Zi, me 10,04%, Rumani, me 9,99%, Serbi, me 8,49%, Slloveni, me 6,61% dhe Bullgari, me 4,96%. Për nga madhësia, tregu shqiptar mbetet i dyti në grup, pas Rumanisë.
Shqipëria kishte mesatarisht 28 074 listime mujore, kundrejt 34 384 në Rumani. Pas tyre renditeshin Mali i Zi me 21 902 listime, Bullgaria me 18 678, Serbia me 15 333 dhe Sllovenia me 10 826.
Panorama e qershorit konfirmon edhe një herë një tendencë të qartë: gjithnjë e më shumë persona po i drejtohen apartamenteve me qira ditore si një mundësi investimi në pasuri të paluajtshme, ndërsa rritja e rezervimeve tregon se kërkesa për këtë lloj akomodimi vijon të jetë e fortë./Tv Klan
