E ardhmja e Marcus Rashford-it te Manchester United mbetet e paqartë. Pas dështimit të transferimit përfundimtar te Barcelona, sulmuesi anglez është rikthyer në “Old Trafford”, ku trajneri Michael Carrick do të vendosë për rolin e tij në skuadër gjatë javëve të ardhshme. 27-vjeçari do të vëzhgohet nga afër gjatë fazës përgatitore verore, por drejtuesit e “Djajve të Kuq” vazhdojnë të jenë të prirur ta shesin përpara nisjes së sezonit të ri.
Sipas raportimeve të fundit, Manchester United do të preferonte ta transferonte Rashford-in jashtë Premier League-s, për të mos forcuar një rival të drejtpërdrejtë. Megjithatë, klubi që po tregon interesin më konkret për shërbimet e tij është Tottenhami.
“Spurs” thuhet se janë të gatshëm të paguajnë rreth 30 milionë euro, shuma e kërkuar nga Manchester United për kartonin e sulmuesit anglez. Mbetet për t’u parë nëse drejtuesit e United do të pranojnë të negociojnë me një rival të kampionatit anglez apo do të presin oferta nga klube jashtë Anglisë, ndërsa e ardhmja e Rashford-it vazhdon të jetë një nga çështjet më të nxehta të merkatos.
