Ditë më parë, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi se seanca për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit, pritet të mbahet në fillim të muajit gusht.
Megjithatë, në mungesë të sinjaleve konkrete për kompromis ndërmjet partive politike, mbetet e paqartë nëse vendi do të arrijë të krijojë institucionet në afat apo do të përballet me një krizë të re politike dhe pasojat që ajo sjell për funksionimin e shtetit.
Në lidhje me këtë temë për “Bota sot” ka folur veprimtari shqiptar nga SHBA, Agim Aliçkaj, i cili u shpreh se formimi i institucioneve të reja të vendit është një çështje urgjente dhe se partitë duhet të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje. Në këtë kontekst, ai përmendi edhe ftesat e kryeministrit në detyrë për takime me liderët e partive opozitare.
“Përpjekjet për konstituimin e organeve shtetërore, pas tri palë zgjedhjeve krejtësisht të panevojshme, janë shndërruar në një çështje urgjente, e cila kësaj radhe duhet patjetër të sjellë rezultate të shpejta. Përndryshe, rrezikohet funksionimi dhe vetë ekzistenca e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti duket se e ka kuptuar rolin e tij të rëndësishëm, duke i ftuar me respekt krerët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së në bisedime të rregullta dhe serioze për konstituimin e institucioneve qeverisëse të shtetit.
Deklaratat dhe sjelljet e krerëve të partive opozitare gjatë bisedimeve fillestare nuk tregojnë se ata janë në nivelin e duhur për ta kuptuar seriozitetin e kësaj situate emergjente” , deklaroi ai. Krahas kësaj, Aliçkaj komentoi qëndrimet e partive opozitare ndaj ftesës së Kurtit për takime, duke i kritikuar për mungesë vullneti për kompromis.
Ai tha se AAK-ja po refuzon dialogun, ndërsa PDK-ja, sipas tij, synon të mbetet në opozitë dhe po llogarit në zgjedhje të reja. Agim Aliçkaj Për LDK-në, Aliçkaj u shpreh se po përballet me paqartësi të brendshme, të cilat, sipas tij, kanë ndikuar edhe në ndërprerjen e bisedimeve për një bashkëpunim të mundshëm me LVV-në.
“Kreu i AAK-së, Ardian Gjini, i ka refuzuar bisedimet, duke paraqitur gjashtë kushte, për të cilat thotë se nuk janë kushte. Ai duket se ndihet rehat, sepse mendon se partia e tij nuk ka më çfarë të humbasë dhe se i ka votuesit e qëndrueshëm për të siguruar pjesëmarrjen në Parlament. Për të, më e rëndësishme është që fituesi të mos udhëheqë, edhe nëse dobësohet shteti.
Një parti e tillë nuk e meriton ta kalojë pragun zgjedhor. Kreu i PDK-së vetëm sa e ka bërë publike vendimin e shefave të vërtetë të PDK-së që kjo parti të mbetet në opozitë.
Kjo nënkupton bojkotimin e procesit të konstituimit të institucioneve, me shpresën se LVV-ja, së bashku me LDK-në e përçarë, nuk do të mund ta krijojë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
Interesi i PDK-së për zgjedhje të reja bazohet në mashtrimet e lobistit serb, ish-ambasadorit amerikan Richard Grenell, për lirimin e Thaçit dhe Veselit nga Gjykata e Hagës. Ata nuk arrijnë ta kuptojnë se, edhe nëse lirohen, ndikimi i tyre në vota do të jetë minimal. Problemi i tyre i vërtetë është korrupsioni, nënshtrimi ndaj të huajve dhe lëshimet ndaj Serbisë.
Nëse nuk kërkojnë falje për gabimet e së kaluarës dhe nuk ndryshojnë, nuk kanë ku t’i marrin votat e reja. LDK-ja është bërë lëmsh fund e krye dhe nuk dihet se kush është në kontroll. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me ish-Presidenten Vjosa Osmani, i filluan mirë bisedimet me Kryeministrin Kurti për një koalicion të mundshëm.
Por shumë shpejt iu desh t’i suspendonte bisedimet, sepse pozita e tij u vu në rrezik. Tani duhet të rregullohet me shokët lojtarë të partisë, disa prej të cilëve kanë simpati për Listën Serbe, disa për popat e Patriarkanës së Pejës dhe disa për PDK-në” , nënvizoi ai.
Më tej, veprimtari shqiptar potencoi se bllokadat politike po e dëmtojnë shtetin, derisa tha se të gjitha partitë kanë përgjegjësi në formimin e institucioneve të reja. “Kriza e zgjatur politike po shndërrohet në një situatë të rrezikshme për shtetin e Kosovës. Nuk ka mbetur më asnjë hapësirë për bojkotime, bllokada dhe as për arsyetime të tyre. Fajësimi i të tjerëve nuk i ndihmon askujt.
Fajtorët i përcakton vetëm populli i Kosovës, dhe ky popull shumë i vuajtur e i durueshëm nuk mund të mashtrohet. Përgjegjësinë për krijimin e institucioneve e kanë të gjitha partitë që kanë marrë pjesë në zgjedhje, sidomos deputetët e zgjedhur nga populli, pa marrë parasysh se kush ka fituar dhe kush ka humbur”.
Gjithashtu, ai kërkoi nga opozita që të pranojë rezultatin dhe të bashkëpunojë me partinë fituese, pasi qytetarët me votën e tyre e zgjodhën Kurtin si udhëheqës. Sa i përket çështjes së presidentit, sipas tij, duhet të propozohen tre kandidatë të aftë, të pavarur dhe jopartiakë.
“Humbësit e zgjedhjeve e kanë vetëm një rrugë të drejtë: të bëhen opozitë konstruktive, të ndryshojnë dhe të punojnë shumë për një fitore të mundshme në zgjedhjet e rregullta pas katër vjetësh. Të gjithë duhet ta respektojnë vullnetin e popullit të shprehur me votë dhe ta kuptojnë njëherë e mirë se, pa shtet, ata janë askusha.
Për të tretën herë radhazi, me një votë të theksuar, populli po e shpreh dëshirën e vet që shteti të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti dhe koalicioni i tij. Nëse deputetët e zgjedhur nga populli janë në rrugën e Zotit dhe jo të dreqit, zgjidhja është e lehtë. Qeveria dhe Parlamenti mund të krijohen nga z. Kurti, me ndonjë koalicion të lehtë sipas nevojës.
Për president të propozohen tre kandidatë të aftë, të pavarur dhe jopartiakë. Deputetët duhet të qëndrojnë në sallë për votim, ashtu siç e kërkon detyrimi ndaj punës për të cilën janë zgjedhur. Presidenti të zgjidhet me shumicë votash ”, shtjelloi ai.
Në fund, ai shtoi se Kushtetuta e Kosovës ka dispozita që, sipas tij, mundësojnë bllokimin e institucioneve dhe se ato duhet të rishikohen për të shmangur krizat politike. Aliçkaj theksoi se krijimi i institucioneve është detyrim shtetëror dhe kombëtar, duke vlerësuar se bojkoti dhe bllokadat e zgjatura dëmtojnë funksionimin e shtetit.
“Kushtetuta e Kosovës është shumë e komplikuar dhe është hartuar për njerëz të ngritur e të ndërgjegjshëm, por u ka dhënë edhe privilegje të tepruara minoriteteve. Lista Serbe e keqpërdor atë me qëllim të shkatërrimit të shtetit. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka komplikuar zgjedhjen e Presidentit me vendimin për kushtin e panevojshëm të kuorumit prej dy të tretave të deputetëve.
Duhet të gjenden mënyra për t’i ndryshuar këto rregulla dhe për të krijuar një situatë normale, e cila nuk e mundëson bllokimin e shtetit. Krijimi i institucioneve është detyrim shtetëror dhe kombëtar. Bojkoti dhe bllokimi i tejzgjatur i tyre, pa marrë parasysh arsyet, mund të shndërrohet në armiqësi dhe tradhti ndaj shtetit dhe kombit” , përmbylli Agim Aliçkaj për “Bota sot”.
