Këshilli Prokurorial i Kosovës ka refuzuar kërkesën e pesë ish-prokurorëve të kombësisë serbe për t’u rikthyer në detyrën që ata kishin para maji-qershorit të vitit 2023.
Këta prokurorë, si edhe një numër i madh i policëve të këtij komuniteti dhanë dorëheqjen në momentin kur qeveria e Kosovës mundësoi promovimin e kryetarëve jo serbë të katër komunave të veriut, të cilët u zgjodhën në maj të atij viti, pasiqë u zhvilluan zgjedhje të parakohshme për shkak të dorëheqjeve të kryetarëve të mëparshëm serbë dhe bojkotit të zgjedhjeve të këtij komuniteti në ato zgjedhje.
Dorëheqja e atëhershme ishte qartësisht veprimrari anti-shtetërore kundër pavarësisë dhe shtetëtisë së Kosovës. Ishte gjithashtu një akt i ndërmarrë nën presionin e qeverisë dhe presidentit të Serbisë, si dhe nën shantazhin e grupeve kriminale e terroriste të nënkryetarit të Listës Srpska, Milan Radoiçiq, si dhe të tjerëve eksponentë kriminalë.
Ajo dorëheqje pati për qëllim paralizën shtetërore në Kosovë ose së paku krijimin e kushteve të favorshme që justifikonin një akt dhune e terrori si ai i Banjskës për t’ia aneksuar territorin e këtyre komunave shtetit të Serbisë. Pra, dorëheqja e përfaqësuesve politikë serbë në komuna, dorëheqja e policëve dhe prokurorëve, ishte një akt tradhtie shtetërore.
Ishte parapërgatitje për të justifikuar dhunën e terrorin kundër kinse “një shteti të huaj për serbët në Kosovë”! Ajo dorëheqje pati gjithashtu pasoja katastrofale për stabilitetin, paqen dhe sigurinë e Kosovës e të rajonit.
Të motivuar nga akti i dorëheqjeve të serbëve në veri më 24 shtator të atij viti ndodhi akti i shëmtuar dhe i pandëshkuar i Banjskës, një akt terrorist, i cili kishte për qëllim terrorizimin jo vetëm të institucioneve të këtyre komunave, por edhe të serbëve në veri.
Para Banjskës u organizuan barrikada dhe madje u terrorizuan jo pak anëtarë të komunitetit serb, të cilët pajtoheshin për respektimin e ligjeve dhe institucioneve të vendit. KFOR-i edhe sot është i tronditur për dhunën e ekstremistëve serbë, në shumicë ish-policë të dorëhequr kundër këtyre forcave, sidomos atyre italiane, hungareze etj.
Sot, pas tri vitesh janë po këta policë, prokurorë dhe të tjerë autoritete të minoritetit serb, ata që kërkojnë të japin dorëheqje nga dorëheqja dhe të rinisin punën në strukturat e policisë, prokurorisë etj të shtetit të Kosovës?! Okay! Eshtë e drejta e tyre të provojnë për një shans të dytë.
Teorikisht dhe parimisht çdo njeri mund të gabojë, aq më tepër nën presionin e krimit serb në Kosovë të përfaqësuaar nga Aleksandër Vuçiq dhe Milan Radoiçiq! Kjo e drejtë është madje universale. Por të drejta e till si kjo shoqërohen me disa detyrime. Po përmend disa prej tyre: Kryesore është reflektimi. E çfarë do të thotë rteflektim në këtë rast?
Do të thotë që „i penduari“, në rastin konkret të dorëhequrit e asaj kohe të tregojnë gjithçka dinë për veprimet e asaj kohe. Pse dhanë dorëheqje? Kush dhe me çfarë mjetesh e formash i kërcënoi? Pse nuk rezistuan? E kishin bindje apo jo aktin antishtetëror që kryen? Vetë ata a u aktivizuan më pas në aktet e dhunshme kundër KFOR-it, policisë dhe institucioneve dhe shtetësisë së Kosovës?
Kur, si, pse, me kë dhe në çfarë formacionesh? A u paguan për këto akte? Nga kush? Si? Sa? Etj. Rrëfimi i së vërtetës është obligim për të garantuar se akti nuk pësëritet!
Nga ana tjetër, të gjithë këta prokurorë, police a çfarëdo tjetër të jenë, kanë për obligim të pranojnë me shkrim si dhe publikisht përgjegjësi penale, nëse ndodh që sërishmi iu kundërvihen interesave të shtetit të Kosovës dhe nuk respektojnë kushtetutën dhe ligjet e saj.
Të betohen publikisht, nëse ripranohen në strukturat përkatëse, në kushtetutë se do të punojnë me përkushtim e me besnikëri për shtetin, tërërsinë territoriale dhe sovranitetin e Kosovës. Të hetohet se sa besnikë të shtetit dhe institucioneve të Kosovës kanë qenë këta “të penduar” para se të jepnin dorëheqjen.
Duhet të shkohet në skaner gjithçka ata kanë bërë në pozicionet si prokurorë, police etj. Edhe nëse ata do t’i pranonin këto kushte, sërishmi do të duhej një lloj vetingu për ta, për të verifikuar se me çfarë janë marrë këta “të penduar” gjatë pak më shumë se tri viteve të shkuara. Nëse ata kanë pohuar të vërtetën në deklaratat e reflektimit ose jo!
Pra riktimi në këtë rast është një proces i vështirë dhe i komplikuar, sepse ka të bëjë me fatet e vendit e të shtetit të Kosovës. Kosova nuk duhet të bëjë konformisten as në këtë rast, ndryshe do të ketë pasoja të pariparueshme dhe askush nuk do ta marrë atë seriozisht. Por nëse ka vërtet persona të penduar thellësisht, atëherë duhet të arsyetojë rast pas rasti.
Së fundmi, kërkesa për t’u rehabilituar dhe ripranuar në strukturat e shtetit të Kosovës e të dorëhequrve nga komuniteti serb provon edhe diçka tjetër. Se strukturat e Serbisë kanë dështuar në aventurën e tyre të atëhershme kundër Kosovës. Vuçiq dhe vartësit e tij kishin shpresuar se do ta gjunjëzonin qeverinë e zotit Kurti, por përfundimisht nuk ia dolën.
Ndërkaq duhet pare, nëse “pendimi” është i sinqertë, apo kërkesa për rikthim ka ndonjë prapavijë anti-Kosovë! Kurse ata që asokohe dolën hapur pro politikave të Beogradit në emër të aleatëve tanë strategjikë, ata shqiptarë që e konsideruan veriun e Kosovës “Tokë e askujt”, apo ata që thane se “Albin Kurti po sillet me serbët, njësoj si Milosheviçi sillej me shqiptarët në vitet 1990”, duhet të skuqen dhe të kërkojnë ndjesë për qëndrimet që mbajtën para tri vitesh!
Turpi është i tyre!
