Ish-trajneri legjendar i Spanjës, Vicente del Bosque, ka paralajmëruar kombëtaren spanjolle që të mos e nënvlerësojë Argjentinën në prag të finales së Kupës së Botës 2026.
Tekniku, i cili udhëhoqi Spanjën drejt triumfit historik në Botërorin e vitit 2010, vlerësoi se Argjentina është një skuadër që di të vuajë, të luftojë dhe të shfrytëzojë çdo moment të ndeshjes, ndaj kërkoi kujdes maksimal nga “La Roja”. Del Bosque theksoi se përmbysja e Argjentinës ndaj Anglisë në gjysmëfinale tregoi qartë forcën mendore dhe përvojën e kampionëve të Amerikës së Jugut.
“Argjentina është një skuadër shumë e vështirë për t’u përballur. Ata e dinë saktësisht se çfarë duhet të bëjnë në fushë. Mendoj se Spanja është favorite, por duhet të jetë shumë e kujdesshme përballë një kundërshtari kaq të fortë dhe me përvojë”, deklaroi Del Bosque për “El Pais”.
Ish-selektori spanjoll shprehu gjithashtu bindjen se Spanja ka zhvilluar një turne të shkëlqyer, duke dominuar shumicën e ndeshjeve dhe duke treguar siguri e pjekuri në lojë. “Në ndeshjet që kemi parë, Spanja ka imponuar stilin e saj, ka kontrolluar lojën dhe ka treguar vetëbesim në çdo paraqitje”, shtoi ai.
Finalja e madhe mes Spanjës dhe Argjentinës do të zhvillohet të dielën në stadiumin New York New Jersey Stadium, ku dy kombëtaret do të luftojnë për trofeun më prestigjioz të futbollit botëror.
