Lagështia dhe temperaturat e larta kanë nxitur përhapjen e sëmundjes së hirit në vreshtat e Rahovecit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme te prodhuesit e rrushit. Vreshtarët kërkojnë mbështetje institucionale, ndërsa mungesa e funksionimit të stacionit agrometeorologjik po vlerësohet si një nga faktorët që ka vështirësuar parandalimin e dëmeve.
Ndryshimet e shpejta klimatike, me lagështi dhe temperatura të larta, kanë alarmuar vreshtarët në Rahovec. Sëmundja e hirit ka filluar të përhapet me të madhe nëpër parcela, duke rritur kostot financiare dhe duke vështirësuar menaxhimin e situatës në terren. “
Kur janë këto situatat me shira dhe temperatura e madhe, ajo ndikon shumë në bimë, posaçërisht në vreshta dhe rrush, ka shpenzime mjaft, por ne i falënderojmë për subvencionet që na japin, sepse na i mbulojnë ato shpenzime. Prodhimi është, unë për vete i kam bërë 63 vjet, ndërsa kështu prodhimi në vreshta që kanë bërë rrush, nuk e mbaj mend” , tha Ajet Cena, vreshtar.
“Rrushin e kemi për momentin mirë në pjesën time që e kam, por ka shumë fermer që janë dëmtuar prej hirit, edhe pse janë spërkat vreshtat me pesticide por prapë ka hiri, dmth ka ndikuar era ose ajri tek kjo sëmundje”, shtoi Bilall Dërguti, vreshtar.
Nga shoqata “Kultivuesit e rrushit” konfirmojnë se dëmet në terren janë mjaft serioze, ku disa parcelave u është shkatërruar prodhimi tërësisht.
“Po, ka shumë fermer që kanë arritur me mbrojt, por ka edhe shumë fermer që janë dëmtuar, por ka edhe fermer që janë dëmtuar tërësisht, pasi sëmundja ua ka shkatërruar vreshtin totalisht”, tha Habib Dina, kryetar i shoqatës “Kultivuesit e rrushit”. Dëmet do të mund të parandaloheshin nëse do të funksiononte rrjeti i stacionit agrometeorologjik i vendosur vite më parë.
Ky sistem, i cili duhej t’i alarmonte vreshtarët për rrezikun nga sëmundjet, sot është plotësisht jashtë funksionit. “Ne nuk kemi ndonjë informatë, ai është dashur të ishte funksional, patjetër do të ishte një sinjal shumë i mirë, pasi kur kemi ne një sinjal të tillë, ne e parandalojmë sëmundjen, jo ta mjekojmë sëmundjen” , shtoi Dina.
Lidhur me dëmet nga sëmundja e hirit dhe dështimin e stacionit që kushtoi mijëra euro, RTK ka kërkuar sqarime zyrtare nga Enti i Vreshtarisë në Rahovec për të parë nëse do të ketë kompensim për fermerët, megjithëkëtë një përgjigje nuk është kthyer ende. Ndryshe, në komunën e Rahovecit ka të mbjella rreth 2 mijë e 500 hektarë tokë me vreshta rrushi.
Ky rajon konsiderohet si epiqendra dhe “kryeqyteti” i vreshtarisë në Kosovë, pasi mbulon pjesën më të madhe të sipërfaqes mbarëkombëtare të kësaj kulture.
