Iliria synon të ndërtojë një skuadër edhe më konkurruese për sezonin e ri në Kategorinë e Parë, pas paraqitjes mjaft pozitive që bëri në edicionin e kaluar. Edhe pse debutuese në këtë kategori, Iliria siguroi një vend në fazën “play off”, duke qenë pranë realizimit të ëndrrës për ngjitjen në Superiore.
E mbështetur te eksperienca e sezonit të kaluar, drejtuesit kanë rikthyer në krye të pankinës trajnerin Dritan Smajli dhe po punojnë intensivisht në merkato për të forcuar organikën.
Objektivi është i qartë, krijimi i një skuadre më cilësore dhe më konkurruese, e aftë për të luftuar sërish për zonën e kreut dhe pse jo, për të realizuar surprizën e madhe, ngjitje në elitën e futbollit shqiptar. Në kuadër të kësaj strategjie, Iliria ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit Vasili Tuni.
Qendërmbrojtësi 23-vjeçar, me origjinë nga Gjirokastra, vjen pas eksperiencës së tij te Luftëtari, ndërsa më herët ka qenë pjesë e Skënderbeut në Superiore gjatë sezonit 2020-2021. Pas rënies së gjirokastritëve në Kategorinë e Dytë, Tuni ka zgjedhur të vijojë karrierën në Fushë-Krujë. Klubi e prezantoi futbollistin përmes një njoftimi në rrjetet sociale: “Mirë se vjen, Vasili Tuni!
Iliria ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me mbrojtësin 23-vjeçar Vasili Tuni, i cili bashkohet me klubin tonë pas eksperiencës së tij te Luftëtari në Kategorinë e Parë. Klubi ynë i uron shumë suksese me fanellën bardheblu. Mirë se erdhe në familjen e Ilirisë”.
Me këtë afrim, Iliria vijon të konsolidojë repartin defensiv, ndërsa në ditët në vijim priten edhe lëvizje të tjera në merkato, teksa drejtuesit synojnë t’i japin trajnerit Dritan Smajli një grup sa më të kompletuar përpara nisjes së sezonit të ri.
