Dhoma e ulët e parlamentit italian ka aprovuar të enjten () planin qeveritar të kontestuar për ta rishikuar ligjin zgjedhor, një veprim që kundërshtarët e kanë denoncuar si përpjekje për ta ndihmuar kryeministren Giorgia Meloni ta ruajë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme që do mbahen më 2027, raporton Reuters .
Propozimi nga koalicioni qeveritar i së djathtës, i përbërë nga Vëllezërit e Italisë të Melonit, Lidhja dhe Forca Italia, do të paraqesë një sistem plotësisht proporcional, duke garantuar shumicë çdo blloku që fiton më shumë se 42 % të votave.
Fituesit që tejkalojnë këtë prag do të merrnin një bonus prej 70 mandatesh në Dhomën e Ulët me 400 deputetë dhe 35 mandate në Senatin me 200 ligjvënës. Megjithatë, përfaqësimi i tyre i përgjithshëm do të kufizohej në 220 syresh dhe 113 mandate përkatësisht, në përpjekje për të shmangur shumicat tepër të mëdha. Debati mbi reformën ka vënë në pah tensionet brenda aleancës.
Ligjvënësit të martën hodhën poshtë propozimin qeveritar për t’ua lejuar votuesve të shprehin votimet preferenciale për kandidatët në listat e partive, pjesërisht edhe për shkak të dezertimeve nga koalicioni. Projektligji duhet ta marrë edhe miratimin e Senatit, të cilin qeveria shpreson ta sigurojë pas pushimeve të verës.
Sipas sistemit aktual, shumica e ligjvënësve zgjidhen përmes përfaqësimit proporcional, ndërsa afërsisht një e treta zgjidhen në zonat zgjedhore me shumicë të madhe që analistët thonë se tentojnë të favorizojnë opozitën.
Reforma do të shfuqizonte vendet me shumicë bindëse, duke përfshirë edhe Italinë jugore ku aleanca e qendrës së majtë e udhëhequr nga Partia Demokratike (PD) dhe Lëvizja 5-Yje shihet si veçanërisht konkurruese. Mbështetësit e qeverisë thonë se reforma do të garantonte që një shumicë e qëndrueshme të dalë nga zgjedhjet.
Meloni në fillim të shtatorit pritet të bëhet kryeministrja më jetëgjatë e Italisë pas luftës, pasi kryesoi një periudhë stabiliteti jashtëzakonisht të zgjatur. Ngritja e lëvizjes së re të ekstremit të djathtë ka shqetësuar muajve të fundit kampin e Melonit, duke siguruar mbështetje nga koalicioni qeverisës dhe ngritur dilmema lidhur me perspektivat në zgjedhjet e ardhshme.
Futuro Nazionale, e drejtuar nga ish-gjenerali i ushtrisë, Roberto Vannacci, tani po del në sondazhe me pak mbi 6 për qind. Partia e ka tejkaluar Ligën në disa sondazhe, duke dobësuar koalicionin pasi mbetet e paqartë nëse Vannacci do të lidhë përfundimisht aleancë me Melonin.
Sipas një simulimi nga anketuesi YouTrend, një aleancë e krahut të djathtë, përfshirë Futuro Nazionalen, mund të sigurojë shumicën, ndërsa qendra e majtë mund të mbizotërojë nëse Vannacci zgjedh të kandidojë ndaras. “Rezultati i zgjedhjeve të ardhshme do të varet jo vetëm nga ligji zgjedhor, por thelbësisht nga vendi ku do të pozicionohet Futuro Nazionale”, vlerëson YouTrend.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
