Argjentina rrezikon të përballet me masa disiplinore pas fitores në gjysmëfinale ndaj Anglisë, pasi lojtarët e saj mbajtën një banderolë me të cilën mbështesnin pretendimin e vendit të tyre për Ishujt Falkland, ka raportuar të enjten, më , Euronews .
Kampionët në fuqi u rikthyen nga disavantazhi 1-0 duke siguruar kalimin në finalen e dytë radhazi të Botërorit me golat e Enzo Fernandez dhe Lautaro Martinez, që nxiti festë të madhe nga Atlanta deri në Buenos Aires. Por vendimi për të valuar një banderolë që shkruante ‘Las Malvinas son Argentinas’ (Malvinas janë argjentinas) mund të rezultojë me gjobë nga organi drejtues i futbollit.
Në vitin 2014, Federata Argjentinase e Futbollit u gjobit me 30 mijë franga zvicerane kur lojtarët pozuan foto para një banderole me të njëjtin mesazh në përgatitje të një ndeshjeje kundër Sllovenisë.
Sipas Kodit të Sjelljes së Stadiumit të FIFA-s, të publikuar para fillimit të turneut, ndalohen “banderolat, flamujt, fletushkat, veshjet dhe gjësendet e tjera me natyrë politike, ofenduese dhe/ose diskriminuese”. Zëvendëspresidentja e Argjentinës, Victoria Villarruel, postoi: “Ata ndaluan sjelljen e tyre në stadium dhe harruan se ne i mbajmë në gjakun dhe zemrat tona”.
Ishujt Falkland ishin në qendër të një lufte ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Argjentinës në vitin 1982, në të cilën u vranë 655 ushtarë argjentinas dhe 255 ushtarë britanikë. Argjentina ka kohë që pretendon sovranitetin mbi Ishujt Falkland, të cilët i quan Ishujt Malvina, duke argumentuar se arkipelagu i Atlantikut Jugor u pushtua kundërligjshëm nga Britania më 1833.
Mbretëria e Bashkuar e hedh poshtë pretendimin, duke pohuar se ka sovranitet mbi ishujt dhe se banorët e ishullit votuan me shumicë dërrmuese në referendumin e vitit 2013 për të mbetur Territor Britanik Jashtë Shtetit.
OKB-ja nuk e mbështet pretendimin e sovranitetit të asnjërit vend, por u ka bërë vazhdimisht thirrje të dy qeverive të rifillojnë negociatat për arritjen e zgjidhjes paqësore. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
