Pas mbylljes së tre kapitujve me BE-në, analisti rendit sfidat që

0%

Të martën, Shqipëria ka mbyllur një moment të rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian. Në Konferencën e IX Ndërqeveritare Shqipëri–BE, që u mbajt dje, u zyrtarizua mbyllja provizore e tre kapitujve të negociatave: Kapitulli 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitulli 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitulli 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e cilësoi këtë ditë si një moment të rëndësishëm për politikën e zgjerimit të BE-së, duke vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit. “Sot është një ‘super e martë’ për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada po zhvillojmë katër Konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë.

Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi po hedhin hapa të mëdhenj përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh Kos në një prononcim për mediat. Ajo theksoi se Ukraina dhe Moldavia po hapin Kapitullin 6, që përfshin mbrojtjen dhe sigurinë, ndërsa Shqipëria do të mbyllë tre kapitujt e parë të negociatave.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas saj, Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapitujt. “Momenti i sotëm duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, theksoi Komisionerja për Zgjerim.

Mbyllja e Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi” konsiderohet një vlerësim i progresit të Shqipërisë në forcimin e kërkimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit teknologjik, si dhe në zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), me synimin për ta afruar ekonominë shqiptare me Tregun Unik Evropian.

Ndërkohë, mbyllja e Kapitullit 26 “Arsimi dhe Kultura” pasqyron përparimin në modernizimin e sistemit arsimor, rritjen e cilësisë dhe gjithëpërfshirjes në arsim, zhvillimin e politikave për rininë dhe kulturën, si dhe përafrimin me standardet evropiane.

Po ashtu, mbyllja e Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me Jashtë” vlerëson rolin e Shqipërisë si partner i besueshëm i Bashkimit Evropian, përmes harmonizimit të politikës së saj tregtare dhe marrëveshjeve ndërkombëtare me politikat e BE-së.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e konsideroi mbylljen e tre kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian si një moment të rëndësishëm në procesin e integrimit të vendit, në përfundim të Konferencës së 9-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Në konferencën për mediat përkrah komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, Rama tha se ky zhvillim përbën një tjetër “gur kilometrik” në rrugëtimin e pakthyeshëm të vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Ky nuk është thjesht një hap, por një vlerësim i qartë që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate dhe që vendi ynë është gjithnjë e më i përgatitur për të marrë përgjegjësitë e anëtarësimit”, u shpreh Rama.

Sipas tij, mbyllja e kapitujve përcjell edhe një mesazh të fortë për procesin e zgjerimit të BE-së, duke theksuar se rezultatet e Shqipërisë po marrin përgjigjen përkatëse nga Bashkimi Evropian. Ai theksoi se reformat po afrojnë standardet evropiane me qytetarët shqiptarë dhe provë është fakti se qytetarët i kanë rritur pritshmëritë dhe kërkesat ndaj qeverisë.

“Ne po ndërtojmë Shqipërinë që duam të shohim si anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Provë e kësaj është se qytetarët kërkojnë gjithnjë e më shumë dhe janë gjithnjë e më pak tolerantë ndaj asaj që nuk funksionon ”, përfundoi kryeministri Rama.

Analisti nga Shqipëria, Ilir Vata, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se mbyllja e këtyre kapitujeve do të thotë se po hapet rruga për reforma më të thella, investime dhe përafrimin e standardeve të vendit me ato të Bashkimit Evropian.

“ Shqipëria ka hyrë në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe mbyllja provizore e tre kapitujve tregon se vendi po ecën përpara në këtë rrugëtim të gjatë. Procesi i integrimit është i vështirë dhe kompleks.

Mbyllja e kapitujve nuk do të thotë se Shqipëria është bërë pjesë e BE-së, por se po hapet rruga për reforma më të thella, investime dhe përafrimin e standardeve të vendit me ato të Bashkimit Evropian. Pyetje: Komisionerja Marta Kos e renditi Shqipërinë mes vendeve që po shënojnë progresin më të madh në zgjerimin e BE-së”, deklaron Vata.

Sipas tij, Brukseli e ka inkurajuar Shqipërinë, ndërsa Kos është më optimiste se vetë qeveria shqiptare. “Po, Brukseli e ka inkurajuar Shqipërinë dhe ka nxitur përshpejtimin e reformave. Në fakt, vendi ka bërë përparim në disa tregues, si reforma në drejtësi dhe investimet në infrastrukturë, por kjo ende nuk mjafton.

Duhet shumë punë që Shqipëria t’u afrohet standardeve të Bashkimit Evropian. Mendoj se Marta Kos është më optimiste se vetë qeveria shqiptare, por deklaratat e saj synojnë të motivojnë vendin për të përshpejtuar reformat dhe për të arritur standardet evropiane” , shprehet analisti.

Vata për “Bota sot”, ka treguar rreth ndikimit konkret që pritet të kenë te qytetarët dhe institucionet shqiptare mbyllja e kapitujeve për Kërkimin Shkencor, Arsimin dhe Kulturën, si dhe Marrëdhëniet me Jashtë “Qytetarët do të jenë përfitues të drejtpërdrejtë vetëm kur arsimi të përmbushë standardet e Bashkimit Evropian, por kjo ditë ende duket larg.

Arsimi në Shqipëri po kalon një periudhë të vështirë. Në zonat rurale po mbyllen shumë shkolla, ndërsa në qytetet e mëdha vazhdojnë problemet me infrastrukturën. Mësimi zhvillohet ende me turne, klasat janë të mbingarkuara dhe cilësia e mësimdhënies mbetet sfiduese.

Shkollat private, sipas mendimit tim, kanë krijuar probleme serioze në cilësinë e arsimit, duke favorizuar në disa raste formalizmin dhe zhvlerësimin e standardeve të diplomimit. Kërkimi shkencor është pothuajse inekzistent. Akademia e Shkencave ka nevojë për një reformim të thellë.

Edhe kultura dhe arti përballen me probleme të trashëguara dhe të reja; mungon një kuadër ligjor i harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian. Si rrjedhojë, arti dhe kultura vazhdojnë të mbeten pa mbështetjen e nevojshme institucionale” , thekson Vata. Me ritmin aktual, sipas Vatës, Shqipërisë do t’i duhet më shumë se një dekadë për t’u anëtarësuar.

Ai përmend edhe sfidat që e presin vendin. “Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk varet vetëm nga Brukseli, por mbi të gjitha nga përmbushja e detyrimeve nga vetë vendi. Mbyllja e kapitujve nuk nënkupton automatikisht anëtarësimin, por kërkon vazhdimin e reformave dhe arritjen e standardeve evropiane.

Me ritmin aktual, mendoj se Shqipërisë mund t’i duhet më shumë se një dekadë për t’u anëtarësuar. Vendi mbetet ende ndër më të varfrit në Evropë.

Sfida të rëndësishme mbeten rritja e minimumit jetik, pensionet, infrastruktura rrugore, furnizimi me ujë të pijshëm, zgjidhja e problemit të pronave, integrimi i të përndjekurve politikë, lufta kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit, si edhe përfundimi i procesit të legalizimit të pronave.

Po ashtu, Shqipëria ka ende sfida në funksionimin e demokracisë, reformimin e Kodit Zgjedhor, reformën territoriale, pavarësinë e mediave dhe përballjen institucionale me trashëgiminë e diktaturës komuniste. Vetëm përmes përparimit në këto fusha mund të afrohet realisht me standardet e Bashkimit Evropia n”, përfundon analisti.

Burimi: Bota Sot