Rasti i parë në Holandë, eutanazia e një fëmije ndez debat mbi ligjin e ri

0%

Në Holandë është raportuar për herë të parë një rast ku një mjek i ka dhënë fund jetës së një fëmije në fazë terminale, në kuadër të një ligji të ri që lejon eutanazinë për fëmijët e moshës 1 deri në 12 vjeç.

Zbulimi u bë nga Ministrja e Shëndetit Publik Sophie Hermans, e cila në një letër drejtuar Parlamentit holandez konfirmoi se rasti është shqyrtuar nga një komitet i posaçëm i ngritur për vlerësimin e eutanazisë tek të miturit.

Sipas saj, komiteti ka marrë raportin përkatës vitin e kaluar, ka zhvilluar diskutime me mjekun e përfshirë dhe më pas ia ka përcjellë gjetjet Zyrës së Prokurorit Publik, e cila pritet të vendosë nëse veprimet janë kryer në përputhje me ligjin. Hermans theksoi se opinioni i komitetit do të ketë peshë të veçantë në vendimin përfundimtar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi identitetin e fëmijës, moshën apo sëmundjen nga e cila vuante. Ligji i ri për eutanazinë tek fëmijët e moshës 1–12 vjeç është në fuqi që nga viti 2024 dhe lejon procedurën vetëm në raste ekstreme, kur fëmija vuan në mënyrë të padurueshme dhe nuk ka asnjë perspektivë përmirësimi. Në këto raste kërkohet edhe pëlqimi i prindërve.

Sipas vlerësimeve zyrtare, rreth pesë fëmijë në vit mund të përfshihen në këtë kuadër ligjor, kryesisht në raste të sëmundjeve të rënda kongjenitale ose gjendjeve të pashërueshme.

Deri në ndryshimin e ligjit, eutanazia në Holandë lejohej vetëm për të porsalindurit dhe për fëmijët mbi 12 vjeç, ndërsa për grupmoshën 1–12 vjeç ofroheshin vetëm kujdes paliativ ose ndërprerje e trajtimit ushqimor dhe mjekësor.

Ky është rasti i parë i njohur i zbatimit të kuadrit të ri ligjor dhe pritet të ndezë debat të gjerë publik mbi kufijtë e ndërhyrjes mjekësore tek pacientët e mitur në gjendje terminale.

Burimi: Bota Sot