Grupi i tifozëve “Shvercerat Shkup” ka reaguar publikisht ndaj gjendjes në klub, duke kërkuar nga kryesia transparencë të plotë, përgjigje konkrete dhe llogaridhënie pas, siç e cilësojnë ata, “përfundimit të kampionatit në mënyrën më të turpshme dhe më poshtëruese në historinë e klubit”, raporton Zyrtare.
Në reagimin e publikuar sot, Shvercerat theksojnë se për muaj të tërë kanë dëgjuar premtime, kanë treguar durim dhe kanë qëndruar pranë klubit në momentet më të vështira, ndërsa tani kërkojnë që drejtuesit të sqarojnë publikisht se deri ku ka arritur organizimi dhe funksionimi i klubit, si dhe cili është plani për të ardhmen.
Një nga kërkesat kryesore të tifozëve është transparenca mbi strukturën pronësore të klubit. Ata kërkojnë publikimin e dokumenteve zyrtare që dëshmojnë se kush është aksionari dhe pronari i vetëm i klubit, duke rikujtuar se më herët tifozëve u ishte kërkuar mbështetje për procesin e kalimit të klubit në emrin e pronarit aktual.
“Heshtja e vazhdueshme vetëm sa e rrit mosbesimin dhe pakënaqësinë”, thuhet në reagim, ku njëkohësisht kërkohet që përgjegjësit për situatën aktuale të mbajnë përgjegjësi për veprimet ose mosveprimet e tyre.
Megjithatë, Shvercerat shprehen të bindur se periudha e vështirë do të kalojë dhe se klubi do të ringrihet, duke theksuar se mbështetja e tyre është për klubin dhe ngjyrat e tij, e jo për individë të caktuar. Në fund të reagimit, grupi i tifozëve rithekson kërkesën për përgjigje të qarta, dokumente zyrtare dhe transparencë të plotë nga drejtuesit e klubit.
