Fundjavë shqiptare me gola në Evropë

0%

Në Austri duket se Xhakomo Vrioni e ka gjetur sërish veten. Sulmuesi shqiptar po kalon një moment fantastik me Volfsbergerin, duke u shndërruar në një prej protagonistëve kryesorë të skuadrës që në javët e para të kampionatit.

Pas dopietës së realizuar në javën hapëse ndaj Austrisë së Vjenës, Vrioni ka gjetur sërish rrugën e rrjetës, këtë herë përballë një prej skuadrave më të mëdha të futbollit austriak, Salzburgut. 27-vjeçari realizoi në minutën e 67-të, duke i dhënë avantazhin Volfsbergerit në një sfidë të fortë të javës së dytë.

Një start që nuk është aspak i rastësishëm për Vrionin, i cili e njeh shumë mirë kampionatin austriak. Katër vite më parë, në sezonin 2021-2022, sulmuesi shqiptar ishte pjesë e Tirolit në huazim nga Juventusi dhe arriti të shpallej golashënuesi më i mirë i kampionatit austriak. Tashmë, rikthimi në Austri duket se po i shërben për të rigjetur edhe një herë formën më të mirë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vrioni u transferua këtë verë te Volfsbergeri nga Çezena dhe në vetëm dy javë ka dhënë sinjale të qarta se mund të jetë një prej liderëve të skuadrës së re. Tre gola në dy ndeshje janë një nisje që premton shumë për sulmuesin shqiptar. Por nuk është vetëm Vrioni që ka shkëlqyer këtë fundjavë në Europë. Një tjetër shqiptar ka përjetuar një mbrëmje të paharrueshme në Belgjikë.

Serxho Ujka u shndërrua në heroin e Zulte Varegemit, që triumfoi me përmbysje 2-1 ndaj Genkut në javën e parë të kampionatit. Mesfushori shqiptar e nisi ndeshjen nga stoli dhe u aktivizua në minutën e 76-të, në një moment kur skuadra e tij ishte në disavantazhin 0-1. Genku kishte kaluar në avantazh në minutën e 39-të, por hyrja e Ujkës i dha një tjetër ritëm lojës.

Vetëm pak minuta pas aktivizimit të shqiptarit, Zulte Varegem gjeti baraspeshën me Aken në minutën e 82-të. Dhe vetëm katër minuta më vonë erdhi momenti i Ujkës. Në minutën e 86-të, 27-vjeçari gjeti golin e përmbysjes, duke i dhuruar Zulte Varegemit tre pikët e para të sezonit. Një nisje fantastike, me emrin e Serxho Ujkës që u brohorit nga tribuna pas një goli me peshë të madhe.

Burimi: Bota Sot