Talenti i ri, Anes Bajrami, pritet që sezonin e ardhshëm të mos jetë më pjesë e Shkupit. Mbrojtësi premtues 17-vjeçar, i dalë nga akademia e klubit bardhekaltër, ka regjistruar 17 paraqitje me ekipin e parë të FC Shkupit dhe ka lënë përshtypje të mira me performancat e tij në fushë.
Sipas informacioneve që ka siguruar “Sportmania”, Bajrami ka zgjuar interesimin e dy klubeve nga kampionati vendor, ndërsa oferta më tërheqëse vjen nga futbolli i Republikës Çeke, ku i riu mund të vazhdojë karrierën e tij. Anes Bajrami është djali i trajnerit dhe ish-futbollistit Muharem Bajrami.
Përveç paraqitjeve me Shkupin, ai ka qenë i ftuar edhe me përfaqësueses U17 të Maqedonisë, me të cilën numëron shtatë ndeshje zyrtare. Me potencialin dhe zhvillimin që ka treguar deri më tani, Bajrami konsiderohet si një nga talentët më premtues të gjeneratës së tij.
