Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit do të nisin hapat për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Në mbledhjen e parë të mbajtur fizikisht pas zgjedhjeve, Kurti tha se Kosova nuk kishte nevojë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, por theksoi se vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe të përkthehet në institucione funksionale. “Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe rezultati e dëshmoi këtë. Sidoqoftë, qytetarët folën sërish qartë.
Rezultati duhet të pranohet e të respektohet dhe vullneti duhet të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike, të angazhuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, siguri e mbrojtje, dhe investime të mëdha në infrastrukturë – nga hekurudhat deri te digat e jo vetëm”, deklaroi Kurti.
Ai bëri të ditur se pas përfundimit të procesit të certifikimit të zgjedhjeve do të fillojnë komunikimet dhe përpjekjet për krijimin e institucioneve të reja. Në fjalimin e tij, konstituimin e Kuvendit e përmendi si hap të parë duke e lënë çështjen e presidentit të fundit.
“Po sa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e Legjislaturës XI, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”- tha Kurti.
Nga njohës të Kushtetutës është thënë se zgjedhja e presidentit duhet të jetë hapi i dytë, pas konstituimit të Kuvendit, nisur nga fakti se vendi ka shkuar në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së presidentit. Mirëpo në Kushtetutë dhe në Rregullore të Punës së Kuvendit nuk përcaktohet renditja.
Ndarja e ulëseve në Kuvendin e Kosovës tashmë dihet me përfundimin e procesit të numërimit të votave. E qartë është po ashtu se Lëvizja Vetëvendosje ndonëse me deputetët e komuniteteve joshumicë, mund ta formojë qeverinë si e vetme, por presidentin do ta ketë të pamundur ta zgjedh pa bashkëpunim me partitë tjera shqiptare.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më ka deklaruar se si parti fituese janë të interesuar që pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të konstituohen sa më shpejtë institucionet e vendit. Por, ai ka kërkuar ndryshimin e qasjes së mëhershme të partive të ish-opozitës, të cilën e ka cilësuar si “refuzuese”.
“Për të ecur përpara duhet të përfundoj sjellja refuzuese e opozitës” – ka thënë ai, më , pas ceremonisë së filimit të punimeve për rikonstruktimin e rrugës rajonale Arllat–Malishevë, që lidh komunën e Drenasit dhe të Malishevës. Lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, Kurti deklaronte se i duhet bashkëpunim me opozitën.
“Ne jemi të interesuar që pa humbur kohë të hyjmë në fazën e konstituimit të institucioneve. Sa më shpejt aq më mirë. Natyrisht, ju e dini, që për çështjen e presidentit, ne nuk mund ta bëjmë vetë këtë… Në këto rrethana neve na duhet bashkëpunim dhe do të mundohemi që të bashkëpunojmë me opozitën për çështjen e presidentit. Shpresoj që kësaj radhe të ndryshoj qasja e opozitës.
Nuk kanë munguar ofertat nga ana jonë as në të kaluarën. Duhet të përfundoj sjellja refuzuese e opozitës”- deklaroi ai. Zgjedhja e presidentit të ri mbetet një nga sfidat më të mëdha pas përfundimit të procesit zgjedhor. Derisa disa parti janë në pritje të certifikimit të rezultatit zgjedhor për të hapur diskutimet e brendshme, ka nga to që hyjnë në këtë proces me emër konkret.
Nëse Kuvendi konsituohet shpejt, deputetët e rinj do të kenë 60 ditë afat për ta zgjedhur kreun e vendit. Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në seancën e fundit, e cila kishte nisur më 27 prill dhe përfundoi më 28 prill, nuk pati kuorum për votim.
