Shpërndaje në: Ikona kroate, Luka Modriq, është bërë vetëm lojtari i katërt që ka arritur në shifrën e 200 ndeshjeve ndërkombëtare. Ndeshjen e 200-të, mesfushori legjendar e luajti në fitoren 1:0 të Kroacisë ndaj Panamasë, të mërkurën në mëngjes. Vetëm edhe tre lojtarë të tjerë i kanë 200 e më shumë ndeshje për përfaqësueset e tyre.
Cristiano Ronaldo aktualisht është i pakrahasueshëm me 230 ndeshje. Bader Al-Mutawa i Kuvajtit i ka 202 ndeshje, por tashmë e ka përfunduar karrierën. Dhe menjëherë pas tij janë Lionel Messi me 201 ndeshje dhe Modriqi me 200. 40-vjeçari Modriq ka debutuar për Kroacinë më . Dhe 20 vjet më pas i ka plot 200 ndeshje ndërkombëtare.
Modriq ka shkruar histori për Kroacinë duke e udhëhequr drejt vendit të dytë në botë në vitin 2018 dhe drejt vendit të tretë në vitin 2022. Në vitin 2023, Kroacia ishte edhe finaliste e Ligës së Kombeve. Mesfushori kroat ka karrierë të jashtëzakonshme edhe në nivel klubesh. Së fundi luajti për Milanin, por shkroi histori për Real Madridin ku luajti nga viti 2012 e deri në vitin 2025.
Me Madridin i ka fituar gjashtë trofe të Championsit, katër tituj të La Ligas dhe shumë e shumë trofe të tjerë. Ndeshja e 200-të nuk është vlerësuar prej më të mirave të Modriqit nga mediat kroate. Ai megjithatë kishte 69 pasime të sakta prej 78 tentimeve. Modriqi në të gjitha 19 ndeshjet që i ka luajtur në Kampionate Botërore ka pasur saktësi të pasimeve prej të paktën 80 për qind.
“Të luash 200 ndeshje për vendin tënd është e arritur e çmendur. Ai është shumë i rëndësishëm për ne, lideri ynë i madh, kapiteni ynë. Jemi shumë mirënjohës që e kemi”, ka thënë mbrojtësi i Kroacisë, Marin Pongraçiq. Përfaqësuesja kroate u kujdes që ky moment historik të mos kalonte pa bujë.
Për xhiron e nderit, lojtarët veshën bluza të veçanta me mbishkrimin “trashëgimi e pafundme”, para se të hedhnin kapitenin e tyre në ajër në shenjë festimi. Për Ante Budimirin, që shënoi golin e fitores, fitorja në ndeshjen jubilare të Modriqit ishte e veçantë. “Nuk ka shumë lojtarë në botë që luajnë më shumë se 200 ndeshje për ekipin e tyre nacional.
Ta shohësh bluzën dhe të dish që ajo erdhi me një fitore kaq të rëndësishme, e bëri atë edhe më të veçantë. Jemi të lumtur për të dhe të lumtur që e kemi kapiten”, ka thënë Budimir. Vetë Modriq ka folur për fitoren shumë të vështirë. “Të arrish 200 ndeshje me fanellën më të dashur është vërtetë diçka e pabesueshme. Jam i lumtur dhe krenar për këtë.
Ishte ndeshje shumë e vështirë, nga fillimi e deri në fund. Po luajmë me një ngarkesë, që nuk jemi të relaksuar. E kemi ditur rëndësinë e ndeshjes dhe kjo është vërejtur”, ka thënë Modriq.
