Irani ka rënë dakord të krijojë një “linjë telefonike” të drejtpërdrejtë me SHBA-në në Ngushticën e Hormuzit, për të “parandaluar dhe zgjidhur çdo keqkuptim” me SHBA-në ose vendet e tjera kur anijet kalojnë nëpër këtë rrugë ujore jetësore.
Kryenegociatori i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, tha të hënën se Irani dhe SHBA-të kishin “arritur një marrëveshje për të krijuar mekanizma koordinimi – një linjë telefonike dhe një qendër në mënyrë që nëse lind ndonjë paqartësi ose problem, anijet të mund të kontaktojnë atë qendër”.
Në një intervistë me median shtetërore iraniane gjatë fluturimit të kthimit nga negociatat në Zvicër, Ghalibaf tha se që tani e tutje, ngushtica do të “menaxhohet sipas marrëveshjeve iraniane” dhe “nuk do të kthehet kurrë në atë që ishte para luftës”. Ai premtoi se Irani “do të zbatojë me saktësi ligjet ndërkombëtare” dhe do të veprojë shpejt për të zgjidhur çdo problem ose keqkuptim.
“Natyrisht, ashtu siç mund të lindin probleme në Liban ose gjetkë, probleme mund të lindin edhe në Ngushticën e Hormuzit. Siç e keni parë, në disa netë ka pasur edhe përleshje “, tha ai. Ghalibaf tha se linja telefonike do të ndihmonte në sigurimin e “nivelit më të lartë të sigurisë dhe rrjedhës së trafikut”.
Kur u pyet nga një gazetar për qëllimin e linjës telefonike, ai tha: “Nëse amerikanët kanë ndonjë kundërshtim për ndonjë gjë, ose nëse ndonjë anije ose mjet lundrimi ka nevojë për sqarime në ndonjë rrugë apo diçka… ata [mund] të telefonojnë”.
Ghalibaf gjithashtu pretendoi se qasja e Iranit në 12 miliardë dollarë nga fondet e tij të ngrira dhe detajet rreth heqjes së sanksioneve të naftës, u finalizuan gjatë negociatave në Zvicër.
