Në seancën gjyqësore në Gjykatën Administrative për padinë e Erion Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado, kryebashkiaku i Tiranës ngreu tonet ndaj gjyqtarit. Ai u shpreh se Ols Dado nuk e ka mbaruar magjistraturën, ndërsa u ndal te drejtimi i Tiranës, që sipas tij, prej 500 ditësh po drejtohet nga njerëz që nuk i ka votuar njeri.
“Në vendin tuaj do isha i shqetësuar po të isha në vendin tuaj, se zonja e KLP herën e parë gënjeu hapur për një njeri që është bërë prokuror me 5. Zonja tha që ka pasur mbledhje kur në fakt s’ka pasur. Unë jam provë e gjallë që askush nuk është mbi ligjin. Por gjithashtu askush nuk duhet të jetë nën mbrojtjen e ligjit pa të drejtë.
Avokati tjetër qesh, ka të drejtë që qesh, po unë jam këtu 500 ditë burg nga një noter me 5. Ols Dado nuk e ka bërë magjistraturën, e dinë të gjithë. A doli Bamir Topi dhe tha hapur “një shok do ja bënte shokut të vet”? Është lënë qyteti 500 ditë pa qëndrim. Tirana po trajtohet si plaçkë nga njerëz që nuk janë votuar. Sot Tirana drejtohet nga njerëz që nuk i ka votuar asnjë njeri.
Ju duhet t’i ktheni dinjitetin kësaj seance. Jo vetëm t’i thoni dikujt mos xhiro e mos qesh, por t’i thoni dhe dikujt tjetër mos gënje. Avokati ka të drejtë. Zot në këtë seancë jeni ju. Si na qenka KLGJ-ja? Nëse vazhdon ky arsyetim, atëherë kot sa presim…”, u shpreh Veliaj.
