Me 6 vota për dhe 1 kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar kandidaturat e pesë kandidatëve që kanë hyrë në garë për Kryeprokuror të Shtetit. Në mbledhjen e KPK-së, kryesuesi Arian Gashi bëri të ditur se sipas panelit vlerësues të gjithë kandidatët plotësojnë kriteret për këtë pozitë. “Ju njoftoj se kemi pranuar 5 aplikacione nga kandidatë.
Ndërsa, me postë nuk kemi pranuar asnjë aplikacion. Sekretariati duke u bazuar në nenin për emërim të kryeprokurorit të shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Kosovës, ka rishikuar materialet e pranuara për të përcaktuar se a kanë plotësuar kriteret e kërkuara me rregullore. Sekretariati po ashtu, i ka dorëzuar panelit vlerësues listën e kandidatëve për shqyrtim dhe vlerësim.
Pas shqyrtimit të aplikacioneve, paneli vlerësuar ka vlerësuar të gjithë kandidatët plotësojnë kriteret ”, tha Gashi. Prokurorët që kanë aplikuar për këtë pozitë dhe i plotësojnë kushtet sipas kritereve janë: Atdhe Dema, Prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Naim Abazi prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Rafet Halimi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Shqipdon Fazliu prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Zejnullah Gashi kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
